Zgjedhjet 2021

Hoxhaj: PDK beson në SHBA dhe dialog

Kandidati për Kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se nuk do të fshehet për ta marrë barrën e dialogut Kosovë-Serbi, për dallim nga kundërkandidatët tjerë, veçanërisht nga ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Hoxhaj ka thënë se PDK në mënyrë tradicionale i ka besuar bashkëpunimit ndërkombëtar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njofton Klan Kosova.

”Në zhvillimet ndërkombëtare, sidomos pas letrës së Joe Biden që të ketë një situatë të re në raport me Kosovën mendoj që PDK këtu është prapë adresë e sigurisë dhe kredibilitetit në raport me subjektet tjera politike që nuk kanë arritur të menaxhojnë temën e dialogut dhe temat e politikës së jashtme”.

”Sa i takon dialogut, PDK dallon nga subjektet tjera politike, sepse ne i kemi besuar dialogut, ne kemi bartë këtë proces dhe kemi paguar një çmim në raport me këtë proces”, ka thënë Hoxhaj në Klan Kosova.

”Të tjerët nuk i kanë besuar dialogut dhe nuk i besojnë dialogut. PDK në mënyrë tradicionale i ka besuar bashkëpunimit ndërkombëtar, i ka besuar Amerikës, i beson dialogut”.

”Prej të gjithë kundërkandidatëve të mi, posaçërisht në raport me Albin Kurtin, unë jam një njeri që e njeh këtë temë. Unë njoh temat e dialogut. Meqë jemi në shkurt të 2021-ës, është vendimtare që ky proces të përmbyllet në 2021, sepse ka filluar në mars të 2011-ës”, tha Hoxhaj.