Kosova

Hoxhaj Papa, flasin për një rol edhe më të madh të Kroacisë në rajon

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim një delegacion kroat, të udhëhequr nga ndihmësministri i Jashtëm, Miroslav Papa.

Në takim zëvendëskryeministri Hoxhaj ka falënderuar Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fazat e shtetndërtimit, para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Po ashtu, është diskutuar edhe për bashkëpunimin konkret në disa fusha, veçmas në atë ekonomike dhe tregtare.

“Kroacia është një prej vendeve mike më të mëdha të Kosovës në rajon. Mbështetja kroate ka qenë e vazhdueshme jo vetëm në aspektin bilateral, por edhe atë rajonal duke qenë edhe si vend anëtar i BE-së. Diskutuam sot për mundësitë e bashkëpunimit më të madh në fushën ekonomike dhe tregtare, meqë marrëdhëniet politike janë të shkëlqyera. Muajt e fundit ka një dimension të ri në këto raporte dhe duam që Kroacia të ketë një përkushtim e rol edhe më të madh”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Po ashtu, është diskutuar edhe për mbështetjen e Kroacisë në anëtarësimin e Kosovës në disa organizata rajonale dhe procesin e eurointegrimeve.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka theksuar nevojën që BE-ja duhet të marrë një vendim sa më parë për vizat dhe që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin dritën e gjelbër për t’i hapur negociatat. /Kosova.info/