Kombëtare

Hoxhaj nga Prekazi: Në 13 vjetorin e pavarësisë me mendje dhe me zemër jemi në Hagë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga anëtarët e kryesisë të PDK-së, me rastin e shënimit të përvjetorit të 13-të të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sot kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Hoxhaj ka thënë se sot me mendje dhe me zemër janë në Hagë, aty ku po mbahen padrejtësisht liderët e UÇK-së dhe të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Ai ka kujtuar familjen Jashari duke thënë se sakrifica e saj lindi shpresën dhe projektoi  të ardhmen për Kosovën e lirë dhe të pavarur.

“Familja Jashari është sinonim i çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Me këtë 13 vjetor të pavarësisë së Kosovës, natyrisht që me mendje dhe zemër jemi në Hagë, ku janë shokët tanë, të cilët në mënyrë të padrejtë po mbahen atje. Do të kthehen fitimtarë dhe faqebardhë, të cilët po bëjnë një sakrificë të re, sublime për të treguar që nuk mund të rishkruhet historia e drejtë për çlirim dhe pavarësi”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të drejtë dhe paqësor, por mos anëtarësimi i saj në OKB e bënë më të pasigurt.

“Sot dua që nga Prekazi heroik të ju uroj pavarësinë e Kosovës, fillimisht presidenti Thaçi, kryetarit Veseli, ish-kryeparlamentarit Krasniqi dhe shumë bashkëluftëtarëve të tyre që qëndrojnë në mënyrë të padrejtë në gjykatë dhe për të cilët presim që të kthehen fitimtarë dhe faqebardhë”, ka përfunduar Hoxhaj. /Kosova.info/