Kosova

Hoxhaj: Marrëveshja finale me Serbinë duhet të kalojë në referendum

Zëvendëskryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, ka thënë se marrëveshja finale me Serbinë duhet të kalojë në referendum.

Enver Hoxhaj ka thënë se për marrëveshje finale të dialogut Kosovë-Serbi, duhet të ketë llogaridhënie në Kuvendin e Kosovës, por duhet të ketë edhe një referendum. 

“Duhet të ketë disa parime të brendshme për dialog, duhet konsensus politik, është parë që dialogu është përdorë edhe për qëndrime të brendshme, edhe pse ishte temë e jashtme. Duhet të ketë patjetër konsensus, gjithëpërfshirje. S’është detyrë vetëm e një qeverie. Duhet llogaridhënie dhe mbi të gjitha marrëveshje e arritur duhet edhe të ketë votën e Kuvendit, por ndoshta edhe një referendum”, ka thënë Hoxhaj në KTV. 

Ai gjithashtu ka thënë se marrëveshjet e tilla nuk janë të zakonshme, që të përmbyllen dhe të vendosen me dy të tretat e votave vetëm në Kuvend. /GazetaExpress