Kosova

Hoxhaj: Kosova duhet të ndërmarrë masa kundër fushatës së Serbisë për çnjohje

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova është e detyruar të ndërmarrë hapa të tjerë për të ndalur fushatën e Serbisë për çnjohje të Kosovës.

Ministri i Jashtëm Serb, Ivica Daçiq, së fundmi tha se Togo është vendi i 15-të që ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës duke prezantuar notën e këtij vendi dërguar Beogradit. Nga MPJ e Kosovës pas këtij rasti ka pasur ankesë se “Kosova është përballur në tre vjetët e fundit me fushatë të paprecedentë diplomatike dhe propagandistike nga Serbia me mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”. Po ashtu MPJ ka thënë se Serbia ka përdorur ryshfete, afera korruptive, shitje të armëve e marrëveshje për heqjen e vizave vetëm për të kundërshtuar Kosovën.

Tani Hoxhaj, që dikur ishte ministër i Jashtëm i Kosovës, ka thënë se Kosova s’duhet të qëndrojë pasive në këso raste.

“Kosova nuk do të qëndrojë pasive, përderisa Serbia luan lojëra të ndyra me njohjet. Ne më herët jemi përgjigjur duke vënë tarifa, por po duket se duhet të ndërmarrim edhe hapa të tjerë për t’i ndalur këto sulme nga Serbia”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.