Kosova

Hoxha falënderon Ambasadorin O’Connell për përkrahjen në luftën kundër krimit, korrupsionit e nepotizmit

Ministrja në detyrë e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim ambasadorin në largim të Mbretërisë së Bashkuar, Ruari O’Connell, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e deritashëm duke e vlerësuar lartë dhe shumë të dobishëm.

Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadorin O’Connell për përkrahjen në luftën kundër krimit, korrupsionit, e nepotizmit, duke potencuar se miqësia dhe përkrahja e Mbretërisë së Bashkuar, është vlerë e qytetarëve dhe shtetësisë së Kosovës.

“Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar dhe diplomacisë së saj, zë vend të jashtëzakonshëm në historinë e re të vendit tonë, andaj, vlerat e kësaj miqësie, vetëm sa rriten. Përkrahja e vazhdueshme që vije nga ky vend i madh, ka rëndësi të veçantë për Kosovën dhe qytetarët e saj, andaj, edhe puna Juaj, z. Ambasador, do vlerësuar lartë dhe e çmojmë shumë”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar u ka qëndruar fuqishëm pranë sfidave të shtetndërtimit të institucioneve tona.

Ambasadori O’Connell, vlerësoi punën e institucioneve duke potencuar zbatimin e MSA-së, reformave si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në veçanti për procesin integrues, procese këto që duhet bërë edhe më shumë.

Ministrja Hoxha dhe Ambasadori O’Connell, vlerësuan vizionin drejt integrimeve euro-atlantike, si rruga e vetme prosperuese për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.