EKONOMI

Hoxha: 57 për qind e kompanive të intervistuara punëtorët i paguajnë me kesh

Drejtoresha ekzekutive e organizatës IKS, Brikena Hoxha, ka thënë në tre mujorin e parë të këtij viti, janë hapur disa vende të punës, porse me fillim të pandemisë, shumë punëtor pastaj janë larguar.

Ajo ka thënë se është shumë e lartë shkalla e informalitetit, duke shtuar se 57 për qind e 80 kompanive të intervistuara kanë deklaruar se punëtorët paguhen me para në duar.

Hoxha ka thënë se jostabiliteti politik ka bërë që ligji i punës të jetë në amendamentim që nga viti 2013.

“95 për qind e ekonomisë së Kosovës përbehet nga ekonomitë e vogla që kanë dy deri në 10 punëtorë. Një e gjetur e rëndësishme është edhe të pushimi i lehonisë, ku ka dallim të stafit menaxherial dhe stafit i cili nuk është i kualifikuar. Kjo pjesë është tejet e rëndë edhe te sektori i OJQ-ve edhe te shumë sektorë tjerë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se 20 për qind e punëdhënësve kanë deklaruar që nuk i lejojnë ta marrin pushimin ditor, po ashtu as pushimin vjetor.

Sipas saj, pagesa në kesh nuk është kërkesë e punëtorëve por e vet pronarëve të kompanive.

Ajo ka thënë se Inspektorati i Punës është një nga hallkat që çalojnë më së shumti. Sipas saj, ata kanë kapacitete shumë të vogla dhe puna e tyre nuk vërehet.

“Kapaciteti i Inspektoratit të Punës është i pamjaftueshëm. Një mungesë tjetër është mosvetëdija e punëtorëve për rëndësinë e organizimit të tyre në sindikata. Duke mos u organizuar ata nuk e dinë që është një marrëveshje që mund t’iu jep shumë të drejta. Duke mos u amandamentuar Ligji i ri Punës që pas tri vjetësh të jepet kontratë të përhershme, punëdhënësit i mbajnë pezull punëtorët”, ka thënë ajo.

Hoxha ka thënë se është e rëndësishme që Gjykatat të punojnë dhe t’i marrin parasysh të drejtat e punëtorëve.

Ajo thotë se sot një punëtorit i shkelen të drejtat, e humb vendin e punës, ose edhe vdes, për drejtësinë kosovare kjo do të thotë 3 muaj burgim ose gjobë deri në 3 mijë euro.