SHËNDETËSIA

Hoti: Qytetarët mund të bëjnë kombinimin e vaksinavenave, të marrin njërën AstraZeneca e tjetrën Pfizer

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë se qytetarët do të mund të kombinojnë vaksinat kundër COVID-19.

I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin ai ka thënë se qytetarët që kanë marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca, dozën e dytë mund ta marrin Pfizer, ose anasjelltas.

Ai Ka thënë se kombinimi i vaksinave është i sigurt

“Ajo që qytetarët kanë mundësinë ta bëjnë është ajo që ata mund të bëjnë zgjedhjen se cilin lloj të vaksinës duan ta përdorin. Madje ju kemi mundësuar që të bëjnë edhe kombinimin e vaksinave, në rast se ata dëshirojnë ta bëjnë këtë. Do të thotë nëse ata kanë marrë vaksinën e parë AstraZeneca, kanë mundësi që të dytën ta bëjnë Pfizer dhe anasjelltas. Efektet në bazë të studimeve që janë kryer deri tani janë pozitive. Këtë e kanë bërë edhe disa shtete tjera dhe kjo është mundësuar edhe në Kosovë. Ne kemi raste të shumta që qytetarët e kanë bërë ndërrimin e vaksinës, por kemi edhe qytetarë që dëshirojnë t’i mbesin besnik llojit të parë të vaksinës me të cilën e kanë filluar procesin”, ka thënë ai.

Përndryshe, Hoti ka thënë se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar ka filluar të rritet.

“Procesi i vaksinimit ka filluar me intensitet të shtuar. Deri në orën 16:00 kanë qenë mbi 12 mijë të vaksinuar. Kapacitetet ditore të institucioneve të shëndetësisë janë që të vaksinohen nga 17 mijë deri në 20 mijë persona. Edhe moshat e reja po i përgjigjen pozitivisht këtij procesi”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë se Kosova ka mjaftueshëm vaksina dhe se po vazhdon të merr oferta për furnizim.

“Ka vaksina të mjaftueshme. Mbi 410 mijë doza të administruara kemi edhe po kaq të tjera në stok dhe kemi edhe oferta të ndryshme. Çdo të hënë Kosova pranon vaksina, si nga asistenca e BE si nga kontrata që ka siguruar me vaksina. Vaksina ka mjaft dhe do të ketë në vazhdimësi”, ka shtuar ai.

Hoti ka folur edhe për mbi 180 mijë vaksinat e dhuruara nga Norvegjia për Kosovën, me ç’rast ka treguar se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë administruar.

“Ne kemi marrë një donacion të vlefshëm nga Mbretëria e Norvegjisë me doza të vaksinës Astrazeneca, prej të cilave rreth 12 mijë doza kanë pasur afatin e përdorimit deri më 31 korrik, ndërsa pjesa tjetër e ka deri më 31 gusht. Një numër i konsideruar i këtyre dozave janë administruar, për shkak se ato kanë ardhur në një moment kur ne kemi pasur një grupacion të caktuar të popullatës që kanë marrë dozën e parë të AstraZeneca’s dhe ato kanë qenë jashtëzakonisht të dobishme pasi e kanë mundësuar të kompletohet procesi i vaksinimit me dozat e dytë”, ka shtuar ai.