EKONOMI

Hoti: Propozimi i Veselit për zhvendosje të TVSh-së ka mundur të bëhet në dy vitet e fundit

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili po synon të marrë timonin e qeverisë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ka thënë se qeveria e tij do të zhvendosë pagesës së TVSh nga kufiri në brendësi të vendit.

“Rritja dhe zhvillimi i bizneseve në ekonomitë e tregut nxit rritjen dhe zhvillimin ekonomik në çdo vend, në çdo shoqëri. Ne, për herë të parë në rajonin tonë, do ta bëjmë zhvendosjen e pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga kufiri në brendësi të vendit, aty ku ndodh transaksioni mes shitësit dhe blerësit”, ka shkruar Veseli në facebook.

Por, këtë e ka kritikuar ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se qeveria e kaluar e ka pasur të gatshëm ligjin për ta bërë këtë, por, sipas tij, “ kanë bërë të kundërtën.

“Këta që po premtojnë zhvendosjen e mbledhjes së TVSH-së brenda vendit, e kanë pasur rastin ta bëjnë për dy vite. Të gatshëm e kanë pasur ligjin për bashkim të ATK-së dhe Doganës për të krijuar kapacitetet për këtë, dhe pastaj edhe ndryshimet në ligjin për TVSH. Kanë bërë të kundërtën. E kanë sjellë në Kuvend ligjin për TVSH ku kanë paraparë edhe një agjenci shtesë për TVSH, e cila gjë e rrit më tutje burokracinë”, ka shkruar Hoti në facebook.

Ai tutje ka shtuar se në programin e LDK-së, me Pakon Fiskale 3.0, “do të ndodh bashkimi i ATK-së dhe Doganës dhe do të kalohet në mbledhje të TVSH-së brenda vendit”.

“Kjo do të lehtësojë bizneset duke rritur likuiditetin e tyre, pasi nuk do të kenë nevojë të paguajnë mbi 400 mil euro para se të shesin mallin, por vetëm atëherë kur të ndodhë transaksioni”, ka theksuar Hoti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.