Kosova

Hoti për Kurtin dhe Konjufcën: Këta njerëz janë rrezik për demokracinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë që kritikat që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje pas vendimit të KQZ-së për të mos lejuar 47 kandidatë për deputetë që të garojnë në zgjedhje, janë sipas tij të rrezikshme për demokracinë.

Hoti pasi dëgjoi deklaratat e djeshme të Albin Kurtit e Glauk Konjufcës, thotë se mentaliteti i tillë politik është rrezik për demokracinë.

“Ky lloj mentaliteti politik është rrezik për demokracinë. Ngritja e dilemave të tilla në shoqëri është rrezik për demokracinë, këta njerëz janë rrezik për demokracinë”, ka thënë Hoti në Rubikon.

“Ajo që po dëgjoj nga partitë tjera, sidomos nga njëra [Vetëvendosje] është shqetësuese, pasi ka shumë vendime të organave të drejtësisë që nuk na vijnë për shtati, por edhe nëse analizohet mirë mund të mos kenë logjikë juridike përfshirë edhe vendimin e fundit të GJK-së që praktikisht e rrëzoi parlamentin por nuk na takon dhe nuk duhet të hyjmë në interpretime tjera”.

Ai shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të vihet në pyetje se a duhet të zbatohet ose jo.

“Një vendim i organeve të drejtësisë, në këtë rast i Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht opinioneve se a është i drejtë ose jo, nuk vihet në pyetje se a duhet të zbatohet ose jo”.