Kosova

Hoti paralajmëron shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Kryeministri Avdullah Hoti, ka dhënë zotimin se nuk do t’ia negociojë kufijtë Kosovës, gjatë fazës së re të dialogut me Serbinë, së cilës i është dhënë start të premten në video-Samitin e Parisit, nikoqirë të të cilit ishin presidenti francez, Emanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. E ka thënë këtë përpara dy udhëheqësve të shteteve kryesore të Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalimit të tij nëpërmjet një videolidhjeje, Hoti ka përmendur tri parime, i pari nga të cilët është ruajtja e integritetit territorial.

“Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm, meqenëse është premisa kryesore që qëndron në themel të Republikës së Kosovës dhe mbi të cilën ajo mbështetet fuqishëm”, ka thënë Hoti. “Çdo shkelje e këtij parimi bie ndesh me parimet dhe vlerat themelore të BE-së. Prandaj edhe është e papranueshme”.

Ai ka lexuar edhe dy parime të tjera.

“Organizimi kushtetues i Republikës së Kosovës nuk mund të preket, pasi që ai garanton funksionimin demokratik të autoriteteve, barazinë në përfaqësim dhe mishëron parimin e shtetit qytetar, jo të organizuar sipas linjave etnike. Prandaj, ndërhyrja në karakterin unitar të Republikës së Kosovës do të ishte mënyra më e lehtë për të çfunksionalizuar shtetin e Kosovës dhe për ta bërë atë të paqëndrueshëm. Kjo nuk mund të ndodhë”, është parimi i dytë. “Marrëveshja me Serbinë duhet të jetë plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, pasi që kjo është e vetmja mënyrë për t’i dhënë legjitimitet një marrëveshjeje të tillë”, është i treti.

Samiti u ka shërbyer udhëheqësve të të dyja vendeve vetëm për t’i paraqitur pozicionet e moçme.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.