Kosova

Hoti: Osmanit i duhen 2-3 vjet për të kuptuar se është gabim për marrëveshjen me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka kritikuar bashkëpartiaken e tij Vjosa Osmani, dhe partinë opozitare Lëvizjen Vetëvendosje, lidhur me reagimet e fundit pas Marrëveshjes së nënshkruar në Washington.

Për Osmanin, thotë se i duhen 2-3 vjet për ta kuptuar që është gabim ashtu siç e ka kuptuar për demarkacionin e zgjedhjen e kryetarit të LDK-së, ndërsa Vetëvendosja, thotë ka qenë gabim historikisht.

“Historikisht Vetëvendosje ka qenë gabim. Nëse kthehemi në të gjitha ngjarjet e mëdha historike. S’po them se kjo është sikur ajo e pavarësisë apo Rambujesë, por në të vërtetë është ngjarje e rëndësishme. VV-ja ka qenë historikisht gabim në raste të tilla, edhe këtë rast ka qenë. Edhe zonja Osmani siç ka qenë në të kaluarën, edhe kësaj radhe është gabim. I duhen edhe 2-3 vite deri të kuptojë që ka qenë gabim. Kështu i është dashtë edhe për demarkacionin, apo për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së në krye të qeverisë e tek pas tre vitesh e ka kuptuar se e ka pasur gabim”, tha Hoti për televizionin publik.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar delegacionin kosovar, duke thënë se qytetarëve nuk u sollën ato që u premtuan. Por, njohjen e Kosovës nga Izraeli, Osmani e ka vlerësuar si një prej më të rëndësishmeve.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë lë të hapur mundësinë që shkëmbimi i territoreve të përfshihet në ujdinë finale.

Hoti: Për një vit arrijmë marrëveshjen finale me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pret që në periudhën njëvjeçare të arrihet marrëveshja finale me Serbinë.

Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike me Serbinë në Washington, Hoti ka thënë se duke pa angazhimin e SHBA-së dhe Evropës ka pritje që marrëveshja finale të arrihet shpejt.

“Jam i bindur që brenda periudhës njëvjeçare do të përmbyllim marrëveshjen finale me Serbinë. Pritjet janë të tilla. Jemi të angazhuar dhe ka angazhim të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve evropiane. Kemi treguar gatishmëri që të lëvizim në këtë drejtim mbi parimet e qarta që kemi në procesin e dialogut. Askush s’po kërkon nga ne të thyejmë këto parime”, ka thënë ai në një intervistë për televizionin publik.

Njohja nga Izraeli menjëherë pas marrëveshjes, sipas Hotit, tregon se pika, që ia ndalon Kosovës kërkimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare brenda vitit dhe Serbisë ia ndalon kërkesat për çnjohje të Kosovës, është e suksesshme.

Hoti: Marrëveshja nuk cenon integritetin territorial të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se me Marrëveshjen e nënshkruar në Washington, nuk cenohet integriteti territorial. Sipas tij, SHBA-ja është garanci për këtë.

“Marrëveshja duhet të shihet si vendim drejt arritjes së marrëveshjes finale. Nuk cenohet integriteti e sovraniteti”, thotë Hoti për televizionin publik.

Hoti tha se megjithatë, kërkesa e delegacionit të Kosovës ka qenë në vazhdimësi njohja reciproke, për çka shtoi se këtë kërkesë vazhdojnë ta shtrojnë.

“Kërkesa jonë e vazhdueshme në çdo takim është që të mbyllet dialogu me njohje. Kërkesa e administratës Trump ka qenë për marrëveshje ekonomike. Angazhimi i Trumpit në këtë funksion nuk ka si të bëhet më i qartë, kur menjëherë pas Marrëveshjes, 20 minuta më pas, më mori në zyre dhe na konfirmoi njohjen nga Izraeli”, u shpreh Hoti.