Kosova

Hoti nga Brukseli: Është krijuar momentumi i duhur për të përmbyllur dialogun

Duke thënë se ka parë përkushtim të plotë dhe interesim të madh të shteteve kyçe të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Avdullah Hoti, në një lidhje direkte nga Brukseli në “Deskun” e KOHËS, ka thënë se është krijuar momentumi i duhur për të përmbyllur këtë çështje.

Ai ka thënë se vizita e tij ka qenë me qëllimin që të tregohet përkushtimi i Kosovës për agjendën euro-integruese. Ka thënë se liberalizimi është tema kryesore, por ka shtuar se krahas saj është diskutuar edhe për dialogun me Serbinë.

“Qëllimi i kësaj vizite ka qenë që si Kosovë, si Qeveri e re, të tregojmë përkushtimin tonë për agjendën euro-integruese të Kosovës. Kam kërkuar ta kem vizitën në Bruksel. Takimet janë bërë me zyrtarët më të lartë. Kemi treguar përkushtimin tonë për agjendën euro-integruese. Liberalizimi i vizave mbetet tema jonë qendrore, por sigurisht krahas tyre edhe tema si dialogu dhe gatishmëria jonë për të hyrë në këtë proces”, ka thënë ai.

Sipas Hotit, zhvillimet e fundit, me ngritjen e akuzës ndaj presidentit Thaçi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale, “na kanë vendosur në situatë të vështirë, por dialogu s’ka alternativë”.

“Ne presim që të caktohet shpejt data për samitin e Parisit. Ka përkushtim të plotë, interesim të madh nga vendet kyçe të BE-së. Mendoj se është krijuar momentumi i duhur për të përmbyllur këtë çështje”, ka thënë ai.

Sipas tij, s’ka asnjë problem mes Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se ka marrë mbështetjen e BE-së për luftën ndaj pandemisë dhe për çështjen e dialogut.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.