Kosova

Hoti: Mini-Schengeni duhet të shihet si përpjekje për forcim të bashkëpunimit rajonal

Kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë Kosova është munduar ta forcojë subjektivitetin e vet ndërkombëtar.

Ai ka thënë se zotimi për bashkëngjitje në Mini-Schengen duhet parë si përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal.

Hoti ka thënë se Kosova do të jetë bashkëpunëtore e plotë duke ruajtur çdo interes të saj.

“Kosova do të ketë pjesën e saj të autorësisë përgjatë procesit të aranzhimeve duke u përkujdesur që gjithçka të jetë në harmoni me ligjet e Kosovës. Në Shtëpinë e Bardhë ne jemi pajtuar që do të jemi bashkëpunëtor në këtë nismë”, ka thënë ai.

Ndërkohë që në emër të LDK-së, deputeti Arben Gashi, ka thënë se thirrja e 5 interpelancave, sipas tij për të njëjtën çështje është shkelje e rregullores së punës së Kuvendit. Kjo pasi ai ka thënë se rregullorja përcakton që brenda një viti nuk mund të thirren më shumë se dy interpelanca për të njëjtën çështje. Sipas tij Qeveria ka bërë gabim që iu është përgjigjur këtyre interpelancave.

Nis interpelanca për Mini-Schengenin Ballkanik

Ka nisur interpelanca për Mini-Schengenin Ballkanik. Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se në vazhdimësi janë marrë premtime se Kosova nuk do të jetë pjesë e kësaj iniciative ballkanike.

Në fjalën e saj në Kuvend, ajo tha se në takimin e 4 shtatorit në Washington këto premtime ranë në ujë.

“Mini-Schengeni është ide dhe projekt i Serbisë. E vërteta e kësaj nisme është nisma e Novi-Sadit”, ka thënë ajo.