Kosova

Hoti i propozon Kurz-it krijimin e Forumit Ekonomik Austri-Kosovë

Kryeministri Hoti bisedoi me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz – raporton Kosova.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti pati sot një bisedë të përzemërt telefonike me kancelarin e Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz, të cilit i shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Austria i kë dhënë vendit tonë.

Gjatë kësaj bisede, kryeministri Hoti e njoftoi kancelarin austriak për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, posaçërisht për menaxhimin e pandemisë Covid 19 dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit si pasojë e kësaj pandemie.

Kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për ta përmbyllur me sukses procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike dhe, si përherë deri më tani, pret mbështetjen e plotë të kancelarit Kurz dhe të vendit të tij.

Në këtë kontekst, kryeministri Hoti i propozoi kancelarit Kurz krijimin e Forumit Ekonomik Austri-Kosovë me pjesëmarrjen e të dy kryeministrave.

Sa i përket dialogut me Serbinë, kryeministri Hoti theksoi se Kosova është e gatshme që dialogu të vazhdojë, me qëllim që ndërmjet të dyja vendeve të arrihet një marrëveshje e përhershme paqeje e stabiliteti, që nënkupton edhe njohjen reciproke.

Ndërsa, kancelari austriak Sebastian Kurz ritheksoi gatishmërinë e vendit të tij për ta mbështetur edhe më tej Kosovën dhe të gjithë rajonin në procesin e integrimeve evropiane, duke theksuar se Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet ndër prioritet kryesore të politikës së jashtme austriake./Kosova.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.