Kosova

Hoti flet për rrahjet në nëndegë: Nuk ndahet LDK-ja

Rrahjet që kanë ndodhur në nëndegë të ndryshme të LDK-së gjatë procesit të brendshëm zgjedhor i japin shije të keqe procesit, por këtë herë nuk do të ndahet në dysh partia.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, duke shtuar se pamjet e tilla i bëjnë të ndihen keq para aktivistëve partiakë, por edhe para qytetarëve të Kosovës.

Hoti megjithatë i ka ftuar aktivistët e LDK-së, kryetarët e degëve dhe të nëndegëve që ta menaxhojnë më mirë procesin dhe, siç ka thënë ai, të mos i lejojnë të infiltrohen në kuvende zgjedhore personat që nuk janë anëtarë të LDK-së. “Ne jemi të vetëdijshëm se gjithandej ka njerëz që dëshirojnë ta shohin LDK-në sikur në ato pamjet negative, prandaj nuk duhet lejuar në kuvende të infiltrohen njerëz të partive tjera”, ka thënë Hoti.

Gjatë kësaj interviste ai ka folur edhe për iniciativën e opozitës për rrëzimin e Qeverisë, iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve, për koalicionet e mundshme parazgjedhore etj.