Kosova

Hoti: Deklaratat për shkëmbim apo korrigjim kufijsh po e dëmtojnë Kosovën

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se lojërat me fjalë si “shkëmbim territoresh” dhe “korrigjim kufijsh” po i kushtojnë Kosovës dhe po e dëmtojnë shtetin në arenën ndërkombëtare.

Hoti tha se me këtë territor që ka aktualisht Kosova dhe me këta kufij, mbi 110 vende e kanë njohur atë.

Deklaratat e Hotit vijnë si kundërpërgjigje ndaj disa komenteve të bëra nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili, të mërkurën, në një intervistë të dhënë për AP-në, ka mohuar ndarjen e Kosovës, por e ka lënë si mundësi të hapur “korrigjimin e kufijve”.

“Askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës, sepse do të binte ndesh me vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur, të shpallur me Deklaratën e Pavarësisë, më 17 shkurt, 2008, dhe me Kushtetutën e Kosovës”, tha Hoti në një postim në Facebook.

Sipas tij, vetë ideja që çështja e shkëmbimit të territoreve apo e korrigjimit të kufijve mund të diskutohet në dialogun me Serbinë, “e ka nxjerrë jashtë funksionit të saj të gjithë diplomacinë e Kosovës”.

Presidenti Hashim Thaçi, i cili po udhëheq dialogun politik me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka thënë se “nuk ka forcë” që mund ta detyrojë Kosovën që të flasë për ndarjen e saj.