Kosova

Hoti: Çdo shtyerje për heqjen e tarifës rrezikon një izolim për Qeverinë dhe vendin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria duhet të heqë tarifën 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës dhe të rinisë dialogun me Serbinë.

Sipas tij, përfshrja e Shteteve të Bashkuara në këtë proces ka ndryshuar dinamikën e negociimit.

‘Tarifa mbi mallrat serbe dhe boshnjake është pengesë e pakapërcyeshme për komunitetin ndërkombëtar, ShBA dhe BE. Çdo shtyerje për heqjen e tarifës komprementon seriozisht pozitën tonë negociuse në këtë dialog, dëmton raportin tonë me ShBA dhe BE, si dhe rrezikon një izolim për Qeverinë dhe vendin”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Në deklaratën e tij, Hoti ka thënë edhe se asnjë masë e njëanshme e Kosovës nuk mund të avancojë pozitën e këtij shteti, nëse e njëjta nuk përkrahet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Hoti mes tjerash ka përmendur edhe se qëndrimet e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell për sovranitetin e Kosovës, janë garanci për pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 7 shkurt se taksën 100 për qind synon ta zëvendësojë me masë të reciprocitetit.

Por, këtë qëndrim nuk e pati përkrahur ambasadori Grenell.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, pati deklaruar për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, ishte shprehur Custin.

“Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit”, kishte shtuar ai.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Ky proces është pezulluar pas vendosjes së taksës 100 për qind në nëntor të vitit 2018 nga qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.