Horror në Kanada, gjenden 751 varre pa emër në një ish-shkollë

Kanadaja u trondit sërish pas një zbulimi horror.

Një grup indigjen thotë se gjeti 751 varre të pashënuara në oborrin e një ish-shkolle rezidenciale në Sëskatçeuan. Sipas mediave të huaja, shumica e eshtrave u përkasin fëmijëve indigjenë.

Ky zbulim vjen disa javë pasi eshtrat e 215 fëmijëve u gjetën në një shkollë të ngjashme rezidenciale në British Columbia, raporton BBC.

Organizata thotë se zbulimi është më domethënësi i ndodhur ndonjëherë në Kanada.

“Nuk kërkojmë keqardhje, por mirëkuptim”, tha kreu i Organizatës Indigjene, Cadmus Delorme.

Një hetim i thelluar u krye në vitin 2015 mbi “gjenocidin kulturor” në Kanada. Raporti dokumentoi abuzime të tmerrshme fizike, përdhunime, kequshqyerje dhe mizori të tjera ndaj më shumë se 150 mijë fëmijëve që ndoqën këto shkolla, të drejtuara kryesisht nga kisha e krishterë nga vitet 1840 deri në vitet 1990.

Go to TOP