Holanda shkëlqen edhe me Maqedoninë, Austria kualifikohet direkt

Holanda është skuadra e dytë, ashtu si Italia që arrin tre fitore dhe kualifikohet si e para në Grupin C. Tulipanët edhe pse të kualifikuar nuk bën asnjë lëshim ndaj Maqedonisë së Veriut duke fituar me rezultatin e pastër 3-0. Për skuadrën e Angelovskit mbetet vetëm debutimi historik në një eveniment të tillë ndërsa nga 6 lojtarë shqiptarë vetëm Bejtulai mbeti pa luajtur asnjë minutë.

Në “Johann Cruyff Arena”, Holanda tregoi që në fillim superioritet dhe me Depay gjeti avantazhin në 24’. Edhe pse Maqedonia shënoi një gol por të anuluar, Holanda vijonte të dominonte në fushë dhe në pjesën e dytë shënoi dy herë me kapitenin Wijnaldum në 51’ e 58’. Goran Pandev u zëvendësua në pjesën e dytë duke mbyllur zyrtarisht aventurën me fanellën e kombëtares pas 122 ndeshjeve.

Për të mësuar kundërshtarin e Holandës duhen pritur ndeshjet e grupeve të tjera pasi tulipanët do të ndeshen me të tretën e Grupit D, E ose F.

Në sfidën tjetër të Grupit C, Austria dominoi Ukrainën duke i “vjedhur” atyre kualifikimin direkt për në 1/8 ku do të gjejë përballë Italinë.

Autori i golit të fitores për austriakët ishte Baumgartner që në minutën e 28’ ndërsa në 90’ minuta ata kishin mundësi të shënonin edhe 2-3 gola të tjerë por Arnautoviç me shokë i humbën. Ukraina ndërkohë me 3 pikë të siguruara ka ende shanse për t’u kualifikuar si e treta më e mirë.

Go to TOP