SPORT

Holanda mposht 3-2 Ukrainën

Mund të luajnë me çdo lloj skeme por spektakli është i garantuar me Holandën në fushë. De Boer që aplikoi një skemë me 3 mbrojtës te tulipanët e nis në mënyrën më të mire Europianin me fitoren 3-2 ndaj Ukrainës që nuk ishte e lehtë.

Ndeshja në “Johann Cruyff Arena” ishte padyshim një nga ndeshjet më të bukura që kemi parë deri sot në Euro 2020. Pavarësisht skemës, skuadra e De Boer tregoi menjëherë autoritet në fushë duke sulmuar që nga minuta e parë dhe padyshim që Depay ishte lojtari më i rrezikshëm.

Të paktën 3 raste të pastra goli shpërdoruan tulipanët me Depay, Wijnaldum e Dumfries por askush nuk arriti të çante rrjetën me një pjesë të parë pa gola.

Fraksioni i dytë nis sërish me një ritëm të lartë dhe pas shumë tentativave më në fund Holanda shënon me Wijnaldum në 52’ i cili dërgon në rrjetë një top të larguar nga portiere Bushchan.

Nuk ndalen tulipanët që sulmojnë sërish dhe gjejnë golin e dytë pas 6 minutash, kësaj radhe me Weghorst i cili pas një aksioni nga e djathta shërbehet në zone dhe shënon 2-0.

Në minutat pasuese, Holanda që ka shpenzuar shumë energji, lëshon terren dhe i jep mundësinë Ukrainës të futet në lojë pas golit të Andriy Yarmolankos me një super gjuajtje.

Nuk mjafton me kaq pasi skuadra e drejtuar nga Shevchenko pas 4 minutave të tjera në 79’ barazon ndeshjen me një gol me kokë nga Yaremchuk.

Një spektakël i vërtetë në fushë dhe nuk mbyllet këtu pasi Holanda gjen forcën të sulmojë dhe më në fund pas shumë rastesh të humbura, Dumfries shënon me kokë për golin final të ndeshjes. 3-2 dhe Holanda e nis në mënyrën më të mirë Europianin.