SPORT

Holanda dominuese me Austrinë – kalon në 1/8 si e para në Grupin C

Holanda i bashkohet Italisë dhe Belgjikës në 1/8 e Kampionatit Europian. Tulipanët e drejtuar nga De Boer japin një tjetër provë force duke mposhtur Austrinë 2-0 në “Johann Cruyff Arena”.

Edhe pse nuk ishte një lojë e shkëlqyer si ajo ndaj Ukrainës, tulipanët u treguan cinikë, sulmuan dhe ishin më të kujdesshëm në mbrojtje se në sfidën e parë ku pësuan 2 gola në pak minuta.

Një gol i Depay që në minutën e 11’ me penallti i dha qetësi Holandës për të menaxhuar lojën edhe pse Austria ishte e rrezikshme në kundërsulme.

Në pjesën e dytë Holanda vijon të sulmojë e të mbajë topin dhe tregohet shumë e rrezikshme me Depay e dhe Wijnaldum duke shpërdoruar shumë raste të pafalshme. Vetëm në në 67’ Dumfries i cili shënoi edhe me Ukrainën arriti të dyfishonte rezultatin dhe t’i jepte qetësinë De Boer me skuadrën në fushë. Ishte një assist magjik i Depay që lancoi Malen në kundërsulm dhe ky i fundit dha topin për Dumfries i cili shënoi nga pak metra.

Austria duket e dorëzuar dhe Alaba tentoi në dy raste me gjuajtje nga larg por sfida mbyllet 2-0 dhe Holanda fluturon në 1/8 madje edhe si e para e Grupit C.

Në sfidën e fundit, Holanda do të ndeshet me Maqedoninë e Veriut ndërsa Austria me Ukrainën.