EKONOMI

Murati takohet me ambasadorin e BE-së në Kosovë, flasin për krijimin e Fondit Sovran

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomáš Szunyog mbajtën një takim njoftues ku u diskutua për agjendën zhvillimore të Qeverisë, me theks të veçantë në ristrukturimin e skemave sociale, luftimin e informalitetit dhe krijimin e Fondit Sovran.

Ministri Murati po ashtu e njoftoi Ambasadorin e Bashkimit Evropian  për masat që do të ndërmerren për luftimin e efekteve negative të pandemisë në ekonominë e vendit, dhe për ndihmën që do t’i ofrohet sektorit privat në këtë drejtim nga Qeveria me qëllim të ruajtjes së vendeve të punës dhe shëndetit ekonomik të vendit.

Gjatë takimit u theksua edhe plotësimi i kushteve për disbursim të Mbështetjes Makro-Financiare dhe Mbështetjes Sektoriale Buxhetore të ofruar nga BE-ja për Kosovën. Të dy përfaqësuesit e institucioneve rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për implementim të reformave strukturore ekonomike, si dhe për mbështetje drejt zbatimit të projekteve infrastrukturore të përbashkëta, siç është Rehabilitimi i Termocentralit Kosova B.

Kurse ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomáš Szunyog e njoftoi Ministrin Murati për projektet e ndryshme të financuara nga Bashkimi Evropian dhe statusin e tyre, vlerësoi faktin se Qeveria ka objektiva zhvillimore të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në fusha të interesit të përbashkët. /Kosova.info/