DOSSIER

Historia e panjohur e ish-pilotit të klasit të parë i diplomuar në Rusi, që iu dogj avioni në ajër dhe…./ Ngjarja tragjike në ‘72-in, në prezencë të udhëheqjes

Zbulohet historia e panjohur e pilotit Azabi Serani me origjinë nga fshati Çorush i Mallakastrës, i cili pasi ishte diplomuar në Shkollës Ushtarake të Aviacionit “Valerij Pavlloviç Çkallov”, në qytetin e Borisoglebskit të ish-Bashkimit Sovjetik, u kthye në Shqipëri dhe u caktua me detyrën e Komandantit në Skuadriljen e dytë të Regjimentit të 23-të, të Aviacionit (gjuajtës-bombardues) në qytetin e Kuçovës, që asokohe quhej “Qyteti Stalin”.

97-edip-ohri2-2


Dëshmia e vëllait të tij, Kujtim Serani dhe ajo e ish-Komandantit të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë, kolonel Edip Ohri, për karrierën e shkëlqyer ushtarake e Azbiut, si Pilot i Klasit të Parë dhe ngjarja tragjike që i morri jetën në stërvitjen e madhe të koduar “Peza 72” në Belsh të Elbasanit, ku atij i shpërtheu avioni në ajër pas një difekti për shkak të predhave të prodhimit kinez. Gjë e cila më pas do interpretohej si “sabotim i Lin Biaos”, ish-ministrit të Mbrojtjes të Kinës të cilin Mao Ce Duni e shpalli armik dhe i’a dogji avionin në ajër, teksa ai po arratisej për në Mongoli.

4-123-905x395-750x375

Ka qenë 4 tetori i vitit 1972, kur gjatë zhvillimit të një stërvitje të madhe ushtarake e koduar “Peza 72”, e cila zhvillohej në zonën e Belshit të Elbasanit nën praninë e autoriteteve më të larta të ushtrisë shqiptare, humbi jetën në mënyrë tragjike një nga pilotët më të talentuar të Aviacionit Luftarak, i quajtur Azbi Serani. Kush ishte ai pilot, cila ishte e kaluara e tij dhe ku ishte shkolluar ai? Cilat ishin rrethanat e vdekjes së pilotit të talentuar Azbi Serani dhe si u komentua ajo vdekje tragjike nga propaganda zyrtare komuniste e asaj kohe.
Lidhur me këtë, rrëfen ekskluzivisht për Memorie.al, vëllai i Azbiut, Kujtim Serani, si dhe dëshmitë e kolonelit Edip Ohri, ish-Komandanti i Aviacionit Luftarak, i cili ka qenë prezent në atë stërvitje ku ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën pilotit që konsiderohej si një nga më të përgatiturit e aviacionit shqiptar.

Në shkollën “Skënderbej”

30805966-1913129258697366-6616598779624094270-o_1524672313-4497473

Azbiu u lind më 1 mars të vitit 1940-të në fshatin Çorush të Mallakastrës prej nga është dhe origjina e familjes së tij tepër e njohur në të gjithë atë krahinë. Babai i Azbiut quhej Ramadan dhe gjatë viteve të Monarkisë së Zogut ai kishte shërbyer si xhandar në krahinën e Mallakastrës. Gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë, Ramadan Seranaj u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste dhe mori pjesë aktive me armë në dorë si partizan në çetat e Mallakastrës. Pas mbarimit të Luftës në vitin 1944, ai u titullua oficer dhe shërbeu në armën e Policisë Popullore, në disa rrethe të vëndit si në Mallakastër, Librazhd, Durrës etj.

20200413_230210-492x375

Azbi Seranaj që ishte dhe fëmija i parë i Ramadanit, fëmijërinë e tij e kaloi në fshatin e lindjes në Çorush të Mallakastrës nën kujdesin e nënës së tij Tatjanës, pasi babai Ramadani, më shumë ndodhej larg familjes, (në rrethin e Librazhdit) si shumë nga ushtarëkët shqiptarë të asaj kohe. Klasën e parë të shkollës fillore, Azbiu e nisi në qytetin e Librazhdit dhe më pas e vazhdoi atë në Plazhin e Durrësit, ku u transferua babai i tij.

Edip-Ohri-1-750x375

Lidhur me fillimin e studimeve të Azbiut në shkollat ushtarake, i vëllai Kujtimi, dëshmon: “Në vitin 1950-të në moshën dhjetë vjeçare Azbiu u regjistrua në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” ku mbaroi 7-vjeçaren dhe të mesmen me të gjitha notat shkëlqyeshëm. Në përfundim të asaj shkolle atij iu akordua Medalja e Artë pasi gjatë katër viteve ai kishte marrë vetëm notat maksimale dhe emri i tij u shkrua në “Librin e Nderit” të Shkollës “Skënderbej”. Aq i shkëlqyer ishte Azbiu në mësime, sa që kur ishte në vitin e fundit të Shkollës Ushtarake “Skënderbej”, (1956-1957) u bë një përjashtim dhe ai u lejua që paralelisht të vazhdonte dhe vitin e parë në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëv “Enver Hoxha”, në degën e Prapavijës, të cilën ai e përfundoi gjithashtu me rezultate maksimale”, kujton vëllai i tij, Kujtim Serani, lidhur me periudhën që Azbiu studjoi si kadet pranë Shkollës Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë.

Në Bashkimin Sovjetik për aviator

20200413_225716

Në verën e vitit 1957-të Ministria e Mbrojtjes Popullore vendosi që Azbiu të shkonte për studime në Bashkimin Sovjetik, gjë e cila ishte dhe një dëshirë e madhe e babait të tij Ramadanit, i cili kishte ëndërruar që djali i tij të dilte ushtarak i shkolluar. Lidhur me këtë, i vëllai, Kujtimi, dëshmon: “Pas bursës që iu akordua në gushtin e vitit 1957, Azbiu filloi studimet pranë Shkollës Ushtarake të Aviacionit “Valerij Pavlloviç Çkallov”, në qytetin e Borisoglebskit të Bashkimit Sovjetik. Në atë shkolle ushtarake Azbiu u regjistrua në degën e avionëve gjuajtës dhe gjatë atyre tre vjetëve që studjoi aty, ai ishte një nga kursantët më të shkëlqyer që kishte ajo shkollë ku kishte me qindra studentë jo vetëm nga të gjitha vëndet e Evropës Lindore, por edhe nga kontinentet e tjera.

20200413_223114-439x375

Ndonëse nga trupi Azbiu ishte pak i imët, ai e kompesonte atë gjë me një përgatitje të shkëlqyer fizike, gjë të cilën e kishte fituar që në Shkollën “Skënderbej”, ku përveç programit mësimor ai kishte bërë stërvitje individuale pothuaj çdo ditë. Gjatë tre vjetëve që Azbiu studjoi në Bashkimin Sovjetik, përveç programit mësimor që e përvetësoi në maksimum, ai u dallua edhe si një kursant i rregullt e i disiplinuar. Po kështu përveç përgatitjes teorike, Azbiu u dallua në veçanti edhe për përvetësimin e elementëve të fluturimit në stërvitjet praktike që kryheshin në atë shkollë, duke u cilësuar si një nga kursantët më të guximshëm dhe më me qëndrueshëmri në proceset e vështira të fluturimit me avionët luftarakë që dispononte në atë kohë Bashkimi Sovjetik. Shkollën e Aviacionit “Valerij Pavlloviç Çkallov” të Borisoglebskit, Azbiu e mbaroi në vitin 1960-të dhe në tetor të atij viti ai u diplomua si “Pilot Gjuajtës, Teknik” me rezultate të shkëlqyera”, kujton Kujtim Serani, lidhur me shkollimin e vëllait të tij Azbiut, në ish-Bashkimin Sovjetik.

Zv/komisar Regjimenti në Kuçovë

Pas përfundimit të studimeve në shkollën e Aviacionit në Bashkimin Sovjetik, Azbi Serani u kthye në Shqipëri dhe u emërua menjëherë me detyrën e Komandantit në Skuadriljen e dytë të Regjimentit të 23-të, të Aviacionit (gjuajtës-bombardues) në qytetin e Kuçovës, që asokohe quhej “Qyteti Stalin”. Ish-shokët e Azbiut që kanë shërbyer bashkë me të pranë atij Regjimenti Aviacioni, tregojnë se që në fillimin e marrjes së asaj detyre, ai iu përkushtua me një mobilizim maksimal dhe ajo gjë ra në sy të komandës, e cila shpesh herë e falenderonte dhe e bënte shembull para gjithë efektivit për rezultatet që ai kishte arritur gjatë stërvitjeve. Duke u nisur nga ajo përgatitje e lartë e Azbiut në planin teorik dhe gjithashtu edhe gjatë fluturimeve, ku ai dallohej si komandues, në shtatorin e vitit 1961, Komanda e Regjimentit e emëroi atë si “komandant katërsheje”. Ajo detyrë e re që iu caktua Azbiut, ia shtoi më shumë përgjegjësinë që kishte ndaj detyrës dhe kolegëve e vartësve të tij. Në atë kohë ai filloi dhe stërvitjet me flutrimet që zhvilloheshin natën dhe në kushte të vështira meteorollogjike. Lidhur me këtë, i vëllai i tij Kujtimi, dëshmon: “Gjatë asaj periudhe Azbiu mori pjesë në disa stërvitje të mëdha të përgatitjes luftarake, që u zhvilluan nga ana e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, siç ishin ato të koduara me emrat “Drini”, në vitin 1961, “Dumreja” në vitin 1962 dhe “Gramozi” në vitin 1963. Pas atyre stërvitjeve luftarake ku Azbiu u dallua për një përgatitje të lartë profesionale, në vitin 1962-‘63, atij iu ngarkua detyra e instruktorit për përgatitjen e kursantëve të rinj pilotë që studjonin në Shkollën e Aviacionit të Kuçovës. Ish-kolegët e tij më kanë treguar se gjatë asaj kohe ai demostroi aftësi të shkëlqyera si pedagog e metodist dhe kishte mardhënie të shkëlqyera me kursantët e tij. Në vitin 1964 Azbiu u emërua zv / komandant skuadriljeje, ndërsa dy vjet më vonë në 1966-ën, ai u emërua zv/Komisar i Grupit Ajror të Regjimentit të Kuçovës. Edhe në ato detyra ai tregoi përgatitje të lartë dhe sidomos në drejtimet e avionëve gjuajtës-bombardues, në të gjitha stërvitjet që u zhvilluan në atë kohë”, kujton i vëllai Kujtimi, për fillimet e karrierës ushtarake të Azbiut në Regjimentin e Aviacionit të Kuçovës.

“Peza 72”, stërvitja fatale e Seranit

Pas gjithë atyre stërvitjeve ushtarake që Azbi Serani mori pjesë si pilot me avionin e tij gjuajtës-bombardues “Mig-19”, në tetorin e vitit 1972, ai u ngarkua që në krye të një skuadrilje prej katër avionësh, të merrte pjesë në një stërvitje të madhe të koduar “Peza 72”, e cila do të zhvillohej në zonën e Belshit të Elbasanit. Pak kohë përpara se të kryhej ajo stërvitje, Azbiu ishte caktuar që së bashku me 25 pilotë të tjerë të shkonte për një specializim një vjeçar në Republikën Popullore të Kinës, por ai nuk pranoi që të shkonte dhe iu lut eprorve të tij që ta zëvëndësonin me një pilot tjetër, pasi ai e kishte gruan shumë të sëmurë dhe duhej që të kujdesej për të. Ajo kërkesë e tij iu aprovua dhe Azbiu qëndroi në Shqipëri, ku edhe mori pjesë në atë stërvitje e cila do të ishte fatale dhe e fundit për pilotin e talentuar me origjinë nga Çorushi i Mallakastrës. Lidhur me këtë, i vëllai i tij, Kujtimi dëshmon: “Ajo stërvitje e ushtrisë shqiptare që do të kryhej në atë kohë, ishte cilësuar mjaft e veçantë dhe i ishte kushtuar një rëndësi mjaft e madhe për vetë periudhën dhe konjukturat politike që po kalonte Shqipëria në atë kohë, pasi kishin filluar çarjet e para në marrëdhëniet me Kinën, pas vizitës që do bënte në atë vënd komunist, vetë Presidenti i SHBA-së, Richard Nikson. Si rezultat i asaj situate që po kalonte Shqipëria, për të marrë pjesë në atë stërvitje të madhe ushtarake të koduar me emrin “Peza 72”, e cila do të demostronte forcën e ushtrisë shqiptare, aty në zonën e Belshit ku do të kryhej ajo kishin shkuar për ta ndjekur nga afër vetë kryeministri Mehmet Shehu, Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, Shefi i Shtabit të Përgjitshëm, Petrit Dume, si dhe një numër i madh ushtarakësh madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes. Aty nga ora 9.30 minuta e mëngjezit, sipas planit të stërvitjes që ishte paracaktuar më parë, vëllai im Azbiu, u ngrit me avionin e tij “Mig 19-të nga aerodromi i Kuçovës së bashku me pilotët e tjerë të grupit që komandonte: Hamza Koçi, Harrilla Rebi dhe Pandeli Lëngu. Të katër këta pilotë me avionët e tyre luftarakë në pak minuta arritën mbi zonën e Belshit ku zhvillohej stërvitja dhe me bomba e rraketa mësimore goditën mbi objektivat që ishin të shënuara në formë rrethi në tokë. Pas asaj qitje që ata e arritën me sukses të plotë, Azbiu fluturoi përsëri në atë vënd për të qëlluar mbi objektivin me predha luftarake të topit 25 mm. që ishte instaluar në bordin e atij avioni luftarak që drejtonte. Por në çastin që ai ishte ulur në pikjadë fare pranë tokës dhe lëshoi predhat e para në drejtim të objektivit, avioni shpërtheu në ajër, duke u shëndrruar në një lëmsh të zjarrtë. Nga ai shpërthim, gabina e pilotit u shkëput nga trupi i avionit i cili u bë copa – copa dhe përfundoi në tokë”, kujton me lot në sy, Kujtim Serani çastin fatal që i mori jetën vëllait të tij Azbiut.

Difekti që i mori jetën Seranit

Po ç’kishte ngjarë me avionin e pilotit Azbi Serani, i cili konsiderohej si një nga aviatorët më të përgatitur që kishte në atë kohë ushtria shqiptare? Lidhur me këtë, ish-komandanti i Aviacionit Shqiptar të asaj kohe, Kolonel Edip Ohri, i cili ka qenë prezent në atë ngjarje tragjike na tregonte: “Aksidenti fatal që i mori jetën në atë kohë pilotit të talentuar Azbi Serani, erdhi si pasojë e një difekti që i ndodhi avionit të tij nga predhat e prodhimit kinez në topin 25 mm. Në rast se në shumë ngjarje të tjera tragjike ku humbën jetën shumë nga pilotët tanë të talentuar, e morën me vete të vërtetën e defektit që u shkaktoi vdekjen, në rastin e Azbi Seranit, nuk ndodhi ashtu dhe e vërteta u zbulua plotësisht. Ato predha me të cilat do të realizonte qitjen Azbiu, ishin jashtë standartit dhe plasën që pa dalë nga gryka e topit, duke e shkatërruar atë plotësisht dhe vetë avionin që e mbuluan në flakë. Pak ditë pas asaj stërvitje unë pata një vizitë në Republikën Popullore të Kinës dhe gjatë asaj vizite kisha marrë me vete grykën e topit të shkatërruar dhe disa predha nga ato që kishte realizuar qitjen Azbiu. Kinezët pasi kryen ekspertizën e topit dhe predhave që u dhashë unë, na thanë se ato kishin ishin me difekt që nga prodhimi i tyre dhe si rezultat i atij defekti kishte ardhur dhe shpërthimi i topit dhe i gjithë avionit që shkaktoi vdekjen e Azbi Seranit. Pas kësaj, ushtarakët e lartë kinezë na urdhëruan që ne të bllokonim të gjithë atë parti predhash që na kishin dërguar ata pasi rezultonin jashtë standarteve të lejuara. Ne e bëmë atë gjë dhe ata erdhën e na i morën ato predha dhe na sollën predha të tjera, me të cilat aviacioni shqiptar nuk pati më probleme të asaj natyre”, kujton koloneli në pension, Edip Ohri, ish-Komandant i Përgjithshëm i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë, lidhur me vdekjen tragjike të pilotit të talentuar Azbi Serani në tetorin e vitit 1972, gjatë stërvitjes së madhe të koduar me emrin “Peza 72”.

Propaganda: “Sabotim i Lin Biaos”

Pas vdekjes tragjike të Pilotit të Klasit të Parë, Azbi Seranit, me urdhërin e Kryeministrit Mehmet Shehu, atij iu krye një ceremoni mortore e veçantë me të gjitha nderet, duke filluar që nga banda frymore e Ushtrisë dhe të shtënat e armëve automatike të skuadrës së pushkatarëve. Arkivoli me trupin e tij u vendos në varrezave publike të Sharrës, në parcelën e veçantë ku në atë kohë prehej edhe trupi i pilotit të famshëm, Niko Hoxha, i cili njëlloj si Azbiu, kishte humbur jetën nga një aksident tragjik me avionin e tij në aerodromin e Rinasit. Po kështu në shtëpinë e Azbi Seranit, në atë kohë shkuan për ngushëllime që nga kryeministri Mehmet Shehu, ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume dhe shumë ushtarakë të tjerë madhorë. Ndërsa asokohe Seranit iu kryen të gjitha nderet duke u konsideruar i rënë në krye të detyrës, propaganda komuniste e interpretoi atë aksident tragjik, si një sabotim të Lin Biaos, ministrit të Mbrojtjes të Republikës Popullore të Kinës, që në atë kohë Mao Ce Duni e shpalli armik dhe e eleminoi fizikisht, duke e goditur avionin e tij në ajër, me preteksin se kishte dashur të arratisej në Mongoli./Memorie.al


//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483