INTERVISTA

Historia e 20-vjeçarit nga Prishtina që trashëgoi emrin e Presidentit Klinton

Ka lindur në një kohë kur Kosova sapo kishte dal nga lufta, e emri i është vënë në nder të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton. Meqenëse trashëgon emrin e një presidenti, kush është djali 20-vjeçar që mban emrin e tij, kush ia ka vënë, çfarë studion dhe cilat janë ambiciet e tij për të ardhmen, ndiqni rrëfimin e Klinton Popovës në një intervistë për Gazetën Insajderi.

Ky është Klinton Popova, 20-vjeçari nga Prishtina. Emri i është vënë në nder të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

Klintoni i Prishtinës, kishte lindur në një kohë kur Kosova sapo kishte dal nga lufta. Në gusht të vitit 1999. Pak javë pas vizitës që ish-presidenti Amerikanë i kishte bërë  kampit të refugjatëve nga Kosova në Bllacë.

Ndonëse jeton matanë oqeanit dhe kanë 53 vjet ndërmjet me njëri – tjetrin, presidenti i 42-të, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton e di se ka trashëgimtarë të emrit të tij në Kosovë.

Në një intervistë për Gazetën Insajderi, Klinton Popova ka treguar se kush ia ka vënë emrin dhe sa krenar është që mban emrin e ish-presidentit amerikan.

“Si shej respekti ndaj Bill Clintonit për ndihmën e madhe që i ka dhënë Kosovës, babi ma ka vendos emrin Clinton. Nuk më bënë të ndihem keq aspak është njëfarë krenarie edhe për shkak të respekti edhe për shkak të Bill Klintonit”, ka thënë Popova

Meqenëse ish-presidenti Bill Clinton, kishte qenë për 8 vjet në krye të ShBA-së dhe kishte studiuar për juristë, ambiciet e Klintonit të Prishtinës janë krejtësisht tjera.

Klintoni studion në Fakultetin e Shkencave Sportive në Universitetin e Prishtinës, dhe është në vitin e dytë, në të ardhmen ai e sheh vetën si një trajneri apo profesor i edukimit fizik.

“Unë studioi Edukatën Fizike në vitin e dytë. Pasi e kam zgjedhur edukimin fizik, unë mendoj me u bo një trajner i mirë në të ardhmen ose një profesor ose mësues i mirë për me ju ofru edhe gjeneratës së re një mësim më të mirë, për sportin për edukimin fizik në përgjithësi”, ka thënë Klintoni.

Derisa ka treguar se sporti i tij i preferuar është futbolli.

Klintoni thotë se ka dëshirë ta takojë ish-presidentin Clinton, ndërsa tregon se ish-presidenti amerikan është në dijeni se në Kosovë janë dy persona që mbajnë emrin e tij.

“Me u taku me Bill Clintonin nuk jam takuar asnjëherë, kisha pas dëshirë me u taku njëherë me të, nuk është problem, mirëpo ai e din që dy persona e kanë emrin Klinton por me u taku me të jo”, ka thënë Klinton Popova

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Bill Clinton është ndër njerëzit më të respektuar në Kosovë. Ai kishte qenë personi kryesor që dha urdhrin për bombardimet e NATO-s ndaj caqeve serbe, pas refuzimit të ‘kasapit’ të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç për të vendosur paqen.

SHBA së bashku me aleatët e NATO-s do të nisnin ndërhyrjen ushtarake kundër Serbisë përmes sulmeve ajrore, duke i sjellë Kosovës lirinë dhe pavaresinë. Kosova në shenjë falënderimi ka vendosur një bust me figurën e tij në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ka emëruar fëmijë, sheshe, sallë sporti me emrin e Bill Clintonit.