Kosova

Berisha: Do ta padisë Dick Martyn

Ish-eprori i lartë i UÇK-së, Hisen Berisha, ka thënë se do ta padisë Dick Martyn për “raportin e tij të gënjeshtërt për luftën e UÇK-së”.

Ai tha se këtë do ta bëjë bashkë me një avokat të Amerikës për raportin që ishte bazë për krijimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

“Personat që i kanë bërë dëmin më të madh Kosovës në vitet e 90-ta dhe pas luftës janë dy: I pari është Sllobodan Millosheviqi dhe regjimi i tij që ka bërë krimet dhe luftën, dhimbja e secilës nuk na hiqet edhe 20 vjet pas dhe i dytë është Dick Marty që i ka bërë dëmin më të madh Kosovës në procesin e funksionalizmit të vet dhe në përmbylljen e mozaikut të shtetndërtimit dhe raporti i tij që ka marrë përkrahjen në Parlamentin Europian”.

“Ky raport që përmban të dhëna që nëse i shohim nga një kënd profesional mjekësor është qesharake dhe të turpshme dhe që e ka shkatërruar imazhin e Kosovës”, njofton Klan Kosova.

“Në bashkëpunim me një avokat në Amerikë do të ngrejmë padi kundër Dick Martyn për raporti e gënjeshtërt kundër Kosovës. Ai nuk ka imunitet të ngrejë padi të rrejshme”.

Berisha në Info Magazine tha se lufta e UÇK-së është e pastër dhe se ka ndonjë që ka shkelur normat e luftës duhet të vihet para drejtësisë.

“Në luftë mund të ketë tejkalim autorizimesh. Frikacakët në luftë zakonisht krijojnë pamje ekstravagante në veten e tyre me shminka dhe shamia. Ata e krijojnë një imazh që s’mund të jetë në realitet, ai nga paniku mund ta dëmtojë edhe kufomën.

“Unë kam besim që të gjithë do të dalin faqebardhë, kushdo që ka kryer vepër penale dhe i ka tejkaluar normat e luftë të marrë përgjegjësinë. Ne nuk i ikim kësaj, por jo të ketë Dhoma që nuk e ka ngritur asnjë padi për serbë, qoftë të Kosovës qoftë jashtë saj”.