OPINION

HIPOKRIZIA E LISTËS SERBE

Shkruan: Gj. Gashi

Lidhur me artikullin: Lista Serbe i kërkon Gjermanisë të mos financojë riparimin e “kishës serbe te katolikizuar” në Novobërdë, datë 07.06.2019

Kisha e Shën Nikollës  në Artanë (Novobërdë), sikundër dhe ajo e Zonjës së Bekuar, siç flasin dëshmitë dhe raportet kishtare të kohës, qenë kisha katolike. S’do harruar për asnjë moment të vetëm se në Artanë kishte lindur dhe shërbyer si prift (katolik shqiptar) edhe Dr. Martin Segoni (1440-1485), njëherësh autori i veprës “Tregim mbi Gjergj Kastriotin”, vepër kjo e njohur në historiografinë e librit si e para kushtuar kryeheroit tonë kombëtar. Siç lexojmë në veprën “Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj” të Dr. Dom Gaspër Gjinit (Drita, Ferizaj, 1992), përndryshe njohës i mirë i historisë së kishës shqiptare, kisha e Shënkollit  (Shën Nikollës) dhe ajo e Zonjës së Bekuar, rezultojnë të jenë kisha katolike shqiptare. “Nga një dokument më i hershëm kuptojmë se Piu II, më 1458 ia dorëzoi argjipeshkvit të Tivarit Andreut II bulën me të cilën u shpallej indulgjencë të gjithë atyre katolikëve që do ta ndihmonin përtëritjen dhe rregullimin e Kishës së Shënkollit dhe të Zonjës së Bekuar, pasi turqit ua kishin hequr pullazet, ua kishin marrë kambanat, këlshejtin dhe të gjitha orenditë e tjera duke i lënë në një gjendje të mjerueshme”, shkruan ndër të tjera Dr. Gaspër Gjini në veprën e vet, fq.156.

Ka dëshmi që provojnë se katedralen dhe kështjellën në Novobërdë i kanë ndërtuar gurgdhendësit nga Mali i Zi i Shkupit, pra, gurgdhendësit nga Stublla.

Se katedralja e Shënkollit në Artanë  u përvetësua nga serbët përgjatë katrahurave historike kjo nuk do shumë koment. Si kisha – katedrale e Artanës, u përvetësuan edhe shumë kisha të tjera, si ajo e Graçanicës, Deçanit, Pejës etj. Prandaj, çdo përpjekje si kjo e Listës Serbe, për ta ndryshuar të vërtetën historike është një hipokrizi prej pushtuesi e falsifikatori që vetën e heq si viktimë. Vetë fakti se me riparim, kisha në Artanë po shpërfaq fytyrën e vërtetë – kishë katolike me një arkitekturë të stilit roman – i frikon serbët, gjë që i ka shtyrë ata të kërkojnë që Gjermania të mos e financojë riparimin e kishës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.