Kombëtare

Hetimi i “Telegraph”: Prindërit shqiptarë trafikojnë djemtë e tyre në Britani për t’iu bashkuar bandave kriminale

Prindërit në Shqipëri po i trafikojnë fëmijët e tyre adoleshentë në Britani për t’iu bashkuar më pas bandave të krimit të organizuar që kontrollojnë pjesë të mëdha të tregut të kokainës në Britani, ka zbuluar një hetim i bërë nga “The Telegraph”.

Numër vazhdimisht e në rritje i të rinjve shqiptarë po hyjnë ilegalisht në Britani me premtimit për të fituar mijëra funte nga shitja dhe menaxhimi i drogës për bandat.

Të dhënat e gjykatave tregojnë se të rinj shqiptarë, të cilët kryesisht kanë hyrë në Britani të fshehur nëpër kamionë, janë ndjekur penalisht në qytete në mbarë vendin, pasi janë pakur me drogë në vlerë prej rreth 200 mijë funtesh.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), Shqipëria është burimi më i madh i vetëm i huaj për trafikim me njerëz në Britani me 947 raste të referuara në këtë agjenci më 2018, një rritje prej më shumë se 50 për qind nga viti 2015.

“Shumica e djemve dhe të rinjve shqiptarë trafikohen në bashkëpunim me prindërit e tyre dhe me premtimin për shpërblim financiar nga trafikantët”, ka thënë Steve Harvey, specialist për sundimin e ligjit ndërkombëtar, i cili ka prezantuar dëshmitë e tij për një hetim nga Ministria e Punëve të Brendshme për problemin, transmeton Koha.net.

“Trafikantët u qasen familjeve dhe lidhen me ta duke u treguar se si do të përfitojnë financiarisht nga marrëveshja. Rrjedhimisht, familja janë trafikuesit dhe fëmijët shihen dhe shfrytëzohen si burime”.

“Trafikantët dhe eksploatuesit u premtojnë atyre para, shumë para, dhe u premtojnë atyre vend pune apo kur djemtë janë minorenë, u premtojnë atyre akomodim, apo rroba, thënë shkurt gjëra për të cilat ata kanë nevojë”, ka thënë një burim për hetimin e Ministrisë së Brendshme.

“Në disa raste, pjesëtarët e familjes ishin përgjegjës për rekrutimin dhe eksploatimin e viktimave meshkuj të trafikuar”.

Gangsterët – kryesisht banda e rrugës “Hellbanianz” me djem shqiptarë në jug të Londrës – promovojnë stilin e tyre të jetesës para adoleshentëve në vendlindjen e tyre përmes rrjeteve sociale.

Stephanie Schwandner-Sievers, specialistja shqiptare në Universitetin e Bournemouthit, thotë se “jeta plot shkëlqim” është çelësi: “Duke u dërguar mesazhe miqve të tyre në vendlindje me dengje të mëdha parash, me makina të shtrenjta, me femra, me qafore të arta e me orë Rolex, por edhe me armë e drogë”.

Megjithatë, ajo thekson se ka edhe fëmijë që i dërgojnë familjet e tyre për të pasur edukim dhe të ardhme më të mirë. Do të thotë se për bandat trafikuese ka tregti fitimprurëse të cilat ua kërkojnë nga 15 mijë funte familjeve për t’i dërguar fëmijët e tyre në Britani të Madhe, sipas një burimi policor.

“Trafikantët gjithmonë kanë rekrutë të gatshëm sepse prindërit janë të gatshëm t’i dërgojnë fëmijët jashtë vendit dhe i dërgojnë vazhdimisht të rinj e më të rinj”, ka thënë një raport i Ministrisë së Brendshme gjatë një misioni fakt-zbulues në Shqipëri.

Endrit Vishaj është rasti tipik, i cili ka hyrë në Britani të Madhe ilegalisht në moshën 16 vjeçare i fshehur në një kamion i cili e dërgoi në Solihull në Midlands. Tani 18 vjeç, Vishaj është duke vuajtur dënimin me burgim prej katër vjetësh e katër muajsh për shpërndarje të kokainës.

Ai u kap në një parking veturash në Bilston duke vozitur në BMW në të cilën policia gjeti dy pako njëkilogramëshe me kokainë cilësore në vlerë prej 200 mijë funtesh në një valixhe bashkë me 55,500 funte para të gatshme – si dhe hisen e tij prej 1 mijë funtesh.

“Ai është përdorur dhe ishte në pritje të udhëzimeve të mëtejme pasi kishte pranuar drogën në Londër dhe paratë nga një person që i ishte afruar te makina në Bilston me një çantë”, ka thënë avokati i tij për Gjykatën Mbretërore të Wolverhamptonit.

Një tjetër është Klevis Drazhi, 20 vjeç, i kapur me 11 pako kokainë në Moorgate, Londër, dhe i burgosur me 18 muaj. Ai thotë të jetë detyruar të bëjë shpërndarje të kokainës nga një pjesëtar i mafisë shqiptare pasi kishte hyrë ilegalisht në Britani në rimorkion e një kamioni.

Alfred Hamzaj, 22 vjeç dhe i burgosur me tetë muaj për shpërndarje në Dewsbury, Yorkshiren perëndimor, pasi u kap me katër kilogramë kanabis, thotë se ka hyrë në rrjetën e krimit pasi kishte mbetur pa punë në një auto-larje për shkak të statusit prej imigranti ilegal.

Rreziqet riaktivizohen nga një rast azili i paraqitur para një komisioni parlamentar. Adnani, një 16 vjeçar që kishte mbetur pa shtëpi në vendlindjen e tij në Shqipëri pasi njerku i tij e kishte dëbuar nga shtëpia, erdhi në Britani të Madhe sepse prindërit e tij kanë jetuar këtu kur ai ka qenë më i ri.

Në apelin e tij për azil, Adnani thotë: “Nuk mund të kthehem [në Shqipëri] sepse s’e kam askënd. Askush s’po kujdesej për mua. Dua të vazhdoj shkollimin. Nëse kthehem, do të mbetem në rrugë. Nuk e di si do t’ia dal”.

Megjithatë, ai e humbi apelin dhe i është thënë se do të deportohet. “Një ditë pas intervistimit të tij [në Ministrinë e Brendshme], Adnani u zhduk nga shtëpia e kujdesit për të birësuarit, me gjasë është nisur këmbë apo me auto-stop për në Londër”, i është thënë komisionit parlamentar.

“Në vend se të jetojë nëpër rrugët e Shqipërisë, tani ai është një fëmijë pa dokumente në Britani”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.