SPORT

Hetemaj shpëton një fëmijë nga mbytja në liqe

Futbollisti kosovar Mehmet Hetemaj ka shpëtuar një fëmijë nga mbytja në liqe. Kjo ka ndodhur të enjten në Finlandë derisa futbollisti i SJK-së ishte së bashku me nënën e tij në afërsi të një liqeni artificial.

Një fëmijë që po freskohej në liqe ka pasur vështirësi për të qëndruar në sipërfaqe. Fillimisht ka ndërhyrë nëna e futbollistit, por më pas ka pasur telashe edhe ajo. Në ujë është futur edhe Hetemaj.

“Nëna ime arriti shpejtë te fëmija. Por kuptova se të dy janë në telashe. Më pas u futa në ujë edhe unë. Arrita te vogëlushi dhe e ngrita atë mbi sipërfaqe të ujit. Më pas e kam dërguar deri në breg”, ka treguar Hetemaj për mediat finlandeze.

Për rastin të shtunën kanë shkruar edhe shumë media në Itali, ku Hetemaj ka bërë karrierë në të kaluarën.

Hetemaj ka pasur idenë se nxjerrja e një fëmije nga uji është gjë e lehtë, por ka kuptuar se nuk është. Është raportuar se fëmija ishte rreth dhjetëvjeçar.

Hetemaj 32-vjeçar ka një ndeshje me Kosovën, ndërsa ka luajtur edhe për Finlandën. Është vëllai i Përparim Hetemajt. Në Itali ka luajtur për skuadra si Albinoleffe, Reggina e Monza. Ka luajtur edhe në Greqi dhe në disa skuadra në Finlandë.