Kosova

Heldt rreth liberalizimit të vizave: Vazhdimisht avokoj në favor të kësaj

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt ka thënë në DESK të KTV-së se është avokues i vazhdueshëm i liberalizimit të vizave për Kosovën, ashtu si edhe shumë njerëz prej forcave politike në Gjermani dhe në Bruksel.

“Jam shumë i kujdesshëm për këtë, sepse e di çfarë procesi kompleks është ky. Së paku, e vetmja gjë që mund ta them është se unë vazhdimisht avokoj në favor të kësaj, dhe prej forcave politike në Gjermani dhe në Bruksel ka shumë njerëz që hapur avokojnë për këtë. Politikanët që kanë qenë këtu në Kosovë dhe që e dinë situatën nga të gjitha partitë”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ishte optimist që shtetet anëtare mund të pajtohen rreth çështjes së liberalizimit, ai ka thënë se “vërtet shpreson”, ndonëse nuk ka dashur të japë data.

“Tani, përballemi me ndikimin e koronës në trupat vendimmarrës. Do të lëvizim tani pas presidencës kroate të BE-së, ku ata po ashtu u desh ta shtyjnë Samitin e Ballkanit Perëndimor. Nga 1 korriku tutje ne do të hyjmë në presidencën gjermane. Unë vërtet shpresoj, por nuk do ta bëj gabimin e të flas për datat dhe perspektivën e saktë”, ka thënë ai.

Heldt njëherazi ka folur për mënyrën e funksionimit të Bashkimit Evropian. I ka përmendur tri shtyllat.

“Është Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe i ashtuquajturi Këshilli Evropian, që në esencë janë shtetet anëtare”, ka thënë ai, duke vazhduar se Komisioni Evropian e kishte kryer punën e vet më 2018-n, me rekomandimin.

“Parlamenti Evropian e kreu punën e vet nga fundi i vitit 2018 me votat pozitive në sesionin plenar dhe në të gjitha komisionet relevante. Ata që nuk e kanë kryer punën e tyre jemi ne, shtetet anëtare”, ka thënë ai.

Heldt: Suksesi me KOSTT-in, i lidhur me depolitizimin

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka folur në DESK të KTV-së rreth votës për anëtarësimin e KOSTT-it nga rrjeti rajonal energjetik. Ka thënë se suksesi në këtë proces, i zhvilluar vite me radhë, ka ardhur për shkak se kjo ishte depolitizuar.

“Ky ishte një proces shumë i gjatë. Nuk mund të kthehem tani më 2016, sepse nuk isha këtu, por pse unë i falënderoj qeveritë e Kosovës, në shumës, është sepse ishte punë e autoriteteve të Kosovës këtu dhe pastaj edhe me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj për ta shtyrë projektin përpara, që do të thotë se nëse gjërat i trajton me profesionalizëm dhe sheh se çfarë ka kuptim dhe nëse shihni çfarë dobie kanë për vendin, ju do të arrini rezultate”, ka thënë ai.

Heldt ka folur rreth rëndësisë së madhe të votës për anëtarësimin e KOSTT-it.

“Kjo ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse tani do të jemi të zotë ta shfrytëzojmë një investim të madh, që është përmendur edhe në media, interkonjeksioni ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Dhe unë kam dëgjuar se edhe kjo është politizuar përsëri dhe se kinse ka një prapavijë politike dhe unë mund t’ju siguroj këtu se Banka për Rindërtim KFË, investon në projekte që kanë kuptim dhe që nuk kanë për qëllim t’i kënaqin politikanët”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për kundërshtimin e Serbisë rreth kësaj gjëje.

“Paj mirë, përsëri lidhej me statusin dhe prandaj ishte lënë anash dhe duhej të zgjidhej”, ka thënë ai.

Heldti me këtë rast ka kujtuar fillimpranverën e vitit 2018, kur orët digjitale në krejt Evropën ngelën prapa për disa minuta për shkak të kësaj.

“Dhe kjo ka rrënjët këtu, sepse pati telashe për t’i ruajtur frekuencat, sepse nuk kishte qartësi se kush ishte përgjegjës për cilën pjesë të prodhimit të energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Heldt: Gjermania ka lidhje të veçantë me Kosovën

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt ka thënë në DESK të KTV-së se Gjermania e ka një lidhje të veçantë të me Kosovën.

E ka përmendur se shteti gjerman, për herë të parë në Kosovë ishte përfshirë “në një konfrontim të hapur ushtarak pas Luftës së Dytë Botërore dhe për këtë ka pasur shumë diskutime në Gjermani”.

“Kështu për këtë arsye Gjermania ka një lidhje të veçantë me diasporën e madhe në Gjermani, ose folur përgjithësisht në shtetet gjermanishtfolëse, Zvicër e Austri. Por ka edhe lidhje personale”, ka thënë ai.

Heldt e ka pranuar haptazi se asnjëherë nuk ka qenë në një shtet nikoqir me kaq shumë lidhje me Gjermaninë të qytetarëve të rëndomtë, me gjermanishten që flitet kaq shumë, ku të gjithë kanë miq ose familje, ose kanë kujtime prej një kohe të kaluar gjatë luftës në Gjermani.

Heldt: Na vunë në flakë të zjarrit shkaku i vijave të kuqe kundër ndarjeve territoriale

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka folur në DESK të KTV-së për kritikat që i ishin drejtuar Gjermanisë shkaku i vijës së kuqe kundër ndarjeve territoriale.

“Disa njerëz na thanë se kush jeni ju të tërhiqni vija të kuqe në këtë proces. Shiko, Qeveria jonë ishte shumë konsistente në qëndrimin tonë se kjo nuk përkon me vlerat evropiane dhe me gjithçka që është ndërtuar brenda Bashkimit Evropian si themel për bashkëpunim dhe fqinjësi ndërmjet shteteve që kanë dalë prej Luftës së Dytë Botërore. Dhe kjo do të vinte në kundërthënie gjithçka në të cilën ne besojmë, dhe një çështje tjetër është nocioni i shtetësisë”, ka thënë ai.

Duke iu përgjigjur pyetjeve nëse është i bindur se kjo temë ka ekzistuar, Heldt ka thënë se “të gjithë ne e dimë se ka pasur thashetheme, por ne donim që atëherë ta bënim shumë të qartë ndaj çfarëdo eventualiteti se nëse diçka e tillë është diskutuar, atëherë ne do të ndanim këtë qëndrim”.

Heldt ka folur edhe rreth mospajtimeve aktuale transatlantike, përfshirë rreth dialogut. Ka thënë se BE-ja dhe Quinti, ndonëse mekanizma të ndarë “pajtohen për gjithçka, në qëllimet strategjike”.

Heldt ka thënë se ajo që synon BE-ja të arrijë është një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë.

“E di se BE-ja është e mërzitshme, kërkon shumë hollësi, por kjo është saktësisht çfarë na duhet, që të zgjidhen njëherë e përgjithmonë të gjitha hollësitë”, ka thënë ai.

Heldt: Kush e refuzon Lajçakun, e refuzon Gjermaninë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë në DESK të KTV-së se kush e refuzon përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçakun, e refuzon edhe Gjermaninë.

“Do të mendohesha dy herë para se të refuzoja të flisja me të, po them prapë, si përfaqësues i krejt Bashkimit Evropian, dhe këtu përfshihet edhe Gjermania si shtet anëtar. Kështu që kush refuzon zotin Lajçak e refuzon edhe Gjermaninë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se personalisht nuk e njeh Lajçakun, por ai është “person me shumë përvojë dhe shumë i besueshëm dhe njeriu i duhur për këtë detyrë”.

Heldti i ka quajtur raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë çështje shumë të rëndësishme në “hartën e përgjithshme të stabilitetit evropian”.

“Kështu që ne vazhdojmë t’i qëndrojmë besnikë qëndrimit, sikur thonë, marrëveshjes së detyrueshme legalisht dhe mbi të gjitha marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Kur them marrëveshje gjithëpërfshirëse e kam fjalën për aso që nuk lë më hapur çështje të hapura”, ka thënë ai, duke shtuar se marrëveshja është e rëndësishme edhe për integrimin evropian.

Heldt: Reciprociteti, parim dhe e drejtë publike ndërkombëtare

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, në DESK të KTV-së ka thënë se reciprociteti është parim dhe e drejtë publike ndërkombëtare.

“Ne si diplomatë e ushtrojmë goxha shumë”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai ka theksuar se kur është puna tek çështjet tregtare, “është me rëndësi që qasjet pragmatike të jenë pro tregtisë”.

“Dhe përshtypja jonë është që tregtia po zhvillohet dhe kjo shihet edhe prej të dhënave të Doganave të Kosovës, kështu që faktikisht unë nuk po shoh ndonjë problem për momentin”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se i dërguari i posaçëm i BE-së, për dialogun Miroslav Lajçak, “do të mund të kujdesej si një prej masave në dialogun e ndërmjetësuar në këtë fushë”.

“Por, edhe njëherë, vrojtimi im është se mund ta kem gabim, por tregtia po vazhdon në kufi”, ka thënë ai.

Dhe, e rëndnësishme për të, si ka thënë, është “substanca çfarë po ndodh në terren”.

Sa iu përket këtyre zhvillimeve politike, Heldti ka thënë se nuk i kujtohet të ketë ndodhur ndonjë gjë e tillë në Gjermani.

“E dini, ne gjermanët jemi shumë të mërzitshëm. Kemi qeveri shumë stabile dhe, me aq sa mund të kujtohem për këtë, unë kam shërbyer vetëm nën tre kryeministra në tridhjetë vjet shërbimi”, ka thënë ai.

Heldt: Të kesh krizë institucionale në mes të pandemisë nuk ndihmon

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, në DESK të KTV-së ka thënë se të kesh një krizë institucionale në kohë pandemie “nuk është e dobishme”.

Ai e ka thënë këtë gjë teksa iu është përgjigjur pyetjeve rreth demarshit të Gjermanisë dhe Francës, dërguar LDK-së, pak para se të votohej mocioni i mosbesimit, që e rrëzoi Qeverinë.

“Pikërisht këto ishin arsyet pse ne i shprehëm shqetësimet tona, të kesh një krizë institucionale në këtë kohë mendoj nuk është e dobishme dhe nuk është gjithçka në të cilën të gjithë akterët, akterët politikë do të duhej të përqendroheshin tani”, ka thënë ai.

Ajo energji, sipas Parisit dhe Berlinit, duhet t’u kushtohet krejtësisht luftës kundër pandemisë dhe perspektivave ekonomike dhe shoqërore.

Megjithatë, ai ka thënë se përfaqësuesve diplomatikë tani iu mbetet “vetëm të ndjekin zhvillimet”.

Heldti në DESKU ka folur edhe për mënyrën e menaxhimit në Gjermani, të krizës pandemike.

“Kam përshtypjen se me kancelaren Merkel, që është një person analitik, deri tani ne në Gjermani e kemi menaxhuar mirë, sepse ka pasur një shkallë të lartë të përgjegjësisë dhe njerëzit thjesht qëndruan tok, sepse menjëherë u vetëdijesuam se pandemia e virusit korona është diçka që nuk kishim parë në historinë e fundit”, ka thënë ai.

Sipas tij, në rrafshin global, “ende ka shumë njerëz që nuk e kuptojnë dimensionin e pasojave me të cilat ne do të përballemi të gjithë. Të gjithë anembanë botës”.

Megjithatë, sa i përket Kosovës, ai ka përgëzuar autoritetet, posaçërisht ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Mendoj se është bërë përpjekje e jashtëzakonshme dhe, në mënyrë të veçantë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, meriton të lavdërohet për atë çfarë është përpjekur të bëjë tash e disa javë. Ne të gjithë e dimë se situata e tanishme në Kosovë është, mirë, sikur se ndodh në disa shtete, diçka që nuk mund të planifikohet më parë, por përpjekjet e gjertanishme kanë qenë shumë të mira dhe shumica e popullatës është sjellë me shumë përgjegjësi”, ka thënë ai.

Heldti ka folur edhe rreth funksionimit të ambasadës së Gjermanisë në kohë pandemie. Ka thënë se sektori i vizave nuk është duke funksionuar, “sepse, nëse nuk ka fluturime, s’mund të lëshojmë viza me data specifike”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.