Kosova

Haziri: Suksesi i Avdullah Hotit i duhet këtij vendi si oksigjeni

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri ka thënë se nuk ka qenë skeptik ndaj koalicionit që e prodhoi qeverinë që drejtohet nga Avdullah Hoti.

“Nuk ka të bëjë me asnjë lloj dyshimi, por ka të bëjë me bindjet e mia politike. Qëndrimin tim politik e kam shfaqur brenda lidershipit të LDK-së dhe para Avdullah Hotit si kryeministër sot dhe kur ka qenë i nominuar për kryeministër”.

“I takon kryeministrit që të ndërtojë një kabinet. Nuk ka pasë mundësi të bëjë zgjidhje më të mirë për veten e tij, sepse e ka trashëguar pjesën më të madh të kabinetit nga qeverisja Kurti, si përfaqësim i LDK-së, derisa ka trashëguar edhe një ambient politik jashtëzakonisht të vështirë – dialogun me Serbinë, përveç pandemisë dhe gjendjes së rëndë ekonomike”.

“Unë kam besuar dhe punuar, si dhe jam angazhuar për një qeverisje e cila u njoh si qeverisje e shpresës. Në atë kohë kam nxjerrë qëndrimin tim politik se krahasimisht me atë qeverisje që unë besimin tim e kam si e kam shprehur, sepse po hyjmë në një koalicion krejt tjetër me partner të njohur për ne, sepse qeverisja LDK-AAK ka qenë e vetmja qeverisje që ka kryer mandat”.

Haziri në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se dëshiron që Avdullah Hoti si kryeministër të dalë i suksesshëm.

“Suksesi i Avdullah Hotit i duhet këtij vendi si oksigjeni, jo oksigjen vetëm për klinika dhe të infektuarit që kanë nevojë. Oksigjeni politik i duhet Kosovës. Ata që nuk ia dëshirojnë suksesin dhe mendojnë që zgjedhjet janë zgjidhje, që e fitojnë një trohë pushteti në një ndërrim eventual që mund të vijë natyrshëm si pasojë e proceseve zgjedhore apo si pasojë e aktakuzave kundër njerëzve të caktuar në Kosovë besoj që janë të verbër politikisht, të sëmurë politikisht”.

“Vjosa Osmani është Kryetare e Kuvendit me legjitimitet qytetar që e ka fituar dhe nuk ia ka falë as Albin Kurti dhe as askush tjetër. Moskominikimi i rregullt qoftë me lidershipin e LDK-së ose Qeverinë është defekt institucional, sepse Kuvendi ka nevojë të komunikojë me presidentin dhe qeverinë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.