Kosova

Haziri: Ka pengesa tjera në bisedimet me VV’në , jo çështja e Presidentit dhe Ministrive

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje sot do të kenë takimin e radhës për përpjekje të një marrëveshje për koalicionin mes tyre. Isa Mustafa dhe Albin Kurti do të takohen pasditen e sotme. Ndërkaq nga takimi i së mërkurës, nga këto parti deklaruan se janë afër marrëveshjes. Nënkryetari i LDK -së, Lutfi Haziri, po thotë se çështja e Presidentit dhe Ministrive nuk janë pengesë në bisedimet mes dy partive

Haziri ka theksuar se takimi në mes të liderëve do të mbahet sot, duke theksuar se shpreson që të arrihet marrëveshja.

“Sot pasdite mbahet takimi, liderët e caktojnë kohën dhe vendin. Ne po shpresojmë, përafrimi që ka ndodhë në finalizimin e marrëveshjes mund të rezultojë me arritjen e marrëveshjes, ende ka nevojë me u qartësua pozicionet tona në mënyrë që me u eliminua çdo problem në të ardhmen”, ka thënë Haziri.

Haziri ka theksuar se pengesat mes partive nuk kanë të bëjnë me postin e Presidentit dhe numrat e ministrive siç po pretendohet. Ai ka thënë se ka pengesa tjera në bisedimet me Vetëvendosjen.

“Nuk ka të bëj me kërkesë specifike e aq më pak me atë që po shkruhet e lexohet në sektor, apo me numrat e ministrive, nuk është kjo pjesë as e bisedave të fundit që po bëhen, ne jemi tu i diskutua pengesat tjera”, tha ai për Gazeta Blic, transmeton Kosova.info.

Haziri ka folur edhe për emrat e ministrave të propozuar nga Kurti, për të cilët ka thënë se janë emra kredibil, por iu mbetet deputetëve të vendosin a do t’i votojnë apo jo.

“Emrat janë kredibil, është e drejtë e kryetarit të partisë në këtë rast e Kurtit me vlerësu se kush janë përfaqësuesit më të mirë të popullit, përshtypja ime e parë është se emrat janë kredibil janë përfaqësues dhe tani mbesin deputetet e Kuvendit me vendos për ta me i votua apo jo”, tha ai.Haziri tha se LDK nuk i ka diskutuar emrat për kabinet qeveritar, shton se së pari duhet të nënshkruhet marrëveshja VV-LDK, më pas të miratohet nga Këshilli dhe Kryesia e LDK-së e në fund të diskutohen emrat për zëvendëskryeministër e ministra. “Ne duhet të kryejmë marrëveshjen dhe pastaj të vendosim për emra, duhet kryer marrëveshjen, duhet vendos pastaj me kryesinë dhe këshillin e përgjithshëm të LDK-së dhe pastaj diskutojmë për emrat, e ky është larg si proces, pa u krye marrëveshja nuk vendosim për emrat”, ka thënë Haziri.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.