Kosova

Haziri: Ibrahim Rugova edhe mohuesit e kundërshtarët i ka gjunjëzuar para varrit dhe veprës së tij

Në pesëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së presidentit historik të Kosovës në Gjilan është mbajtur akademi përkujtimore për ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri tha se Ibrahim Rugova ishte njeriu që realizoi ëndrra dhe la trashëgimi lirinë e Kosovës, pavarësinë, demokracinë dhe butësinë e urtësinë politike dhe shumë vlera të tjera.

Haziri, duke vlerësuar veprën e Rugovës, tha se ai ishte njeri i pajtimit e urtësisë, kreator e ideator i pavarësisë së Kosovës dhe nuk lejonte që të mos e duam njëri-tjetrin.

“Ibrahim Rugova edhe mohuesit, kundërshtarët i ka gjunjëzuar para varrit dhe veprës së tij. Ai pati rol fisnik e politik. Ai pos familjes së tij politike, i deshi edhe të tjerët. Ne të gjallët ia kemi për borxh vlerës që la për këtë vend e këtë popull. Do t’i qëndrojmë prapa këtij vizioni. Rugova thoshte se kompromis i dhembshëm, por i drejtë është pavarësia e Kosovës e atë e ndërtoi me vizion e veprim të urtë”, tha Haziri.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në këtë Akademi Përkujtimore, ka theksuar se Rugova ishte ideator dhe themelues i Republikës së Kosovës.

Sipas Hotit, Rugova ruajti kohezionin e brendshëm, shumë të nevojshëm dhe krijoi miq për Kosovën. Rugova gjatë tërë veprimtarisë së tij i qëndroi besnik parimeve të veta, ishte realist, me vizion për kohën për kohën kur jetoi.

“Sot Kosova identifikohet me emrin e Ibrahim Rugovës, ai ishte prijës e krijues i një fryme nacionale në Kosovë, ai bëri epokën, u shndërrua në simbol të pavarësisë së Kosovës. Bota na njohu falë tij”, tha kryeministri Avdullah Hoti, që cilësoi Rugovën si model lidershipi e shembull të një udhëheqësi besnik të popullit të vet dhe që bota e donte dhe nderonte si burrështetas”, tha Hoti./Telegrafi/