Kosova

Haziri: Deklarata e Besnik Bislimit për blerje votash nga Lista Serbe është spekulim

Ditë më parë, zv/kryeministri i vendit, Besnik Bislimi deklaroi se shkuarja në balotazh në Komunën e Gjilanit në mes Lutfi Hazirit nga LDK dhe Alban Hysenit nga VV, ishte si shkak i sondazheve të porositura nga Haziri si dhe nga votat e serbëve në Gjilan.

Madje ai theksoi se Haziri ka blerë vota nga serbët në Gjilan.

“Në Gjilan gara është dashur të përfundohet më 17 tetor, sikur të mos kishin qenë dy elemente. Kryetari aktual i Gjilanit e ka ditur shumë mirë se si do të përfundojë rezultati më 17 tetor dhe ka shkuar deri në instrumente që askush nga qytetarët e Gjilanit nuk ka besuar se do të shkonte ai. I dini këto vota që i ka blerë nga Lista Serbe. Është edhe më keq nëse nuk i ka blerë ato e i janë dhënë falas. I bie se janë pjesë e kalkulimeve të Beogradit”, ka thënë Bislimi.

Lidhur me këtë është përgjigjur vetë Haziri, i cili ndër të tjerash tha se është spekulim, e se kjo më së paku do të duhej të pritej si deklaratë nga zv/kryeministri Besnik Bislimi i cili vetë vie nga Lugina.

“Komunën e Gjilanit është dalë një rezultat befasisht i mirë, rikthim i madh i LDK-së atje dhe natyrisht me balotazh me kandidatin e VV-së. LDK ka pasur partnerë deri në këto zgjedhje kurse tash e tutje do të vlerësojë parimin e koalicioni zgjedhor, nuk ka pasur as koalicion parazgjedhor e duke përfshirë këtu as Listën Serbe apo partitë tjera të komuniteteve. Është spekulim, e kjo më së paku do të duhej të pritej nga një zv/kryeministër që është me origjinë nga atje, e të mos e njohë realitetin politik në teren. Në katër vitet e fundit kryetarë i komuniteteve është përfaqësuesi nga komuniteti turk, jo përfaqësuesi i Listës Serbe për shkak të problemeve politike që ishin në teren”, deklaroi Haziri.

Tutej ai tha se tendenca që të rikthet roli i Listës Serbe sikurse që është në Prishtinë, Mitrovicë në Gjilan është tendencë e rrezikshme.

“Tendenca me rikthy rolin e Listës Serbe sikurse që është në Prishtinë, apo Mitrovicë në Gjilan është vlerësim i rrezikshëm politik pasi është komunitet i integruar në institucione e që nuk nxjerr kamion e traktor me i blloku rrugët rajonale e komunale, por është komunitet që është integruar me cilësi politike që i sheh më shumë punët e veta se ato të përgjithshme politike”,shtoi ai.

Shfaq më shumë