Kosova

Haxhiu: Prokuroria nuk guxon të veprojë kundër pushtetit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kujtuar se dje u bënë 2 javë prej momentit kur Glauk Konjufca e Albin Kurti dorëzuan kallëzimin penal kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Kujtojmë se Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie Glauk Konjufca, kanë dorëzuar në Prokurorinë Themelore një kallëzim penal ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli pasi, sipas Kurtit, në seancën e cila është mbajtur me 28 dhjetor të vitit të kaluar, për rastin ‘Syri i Popullit’, Thaçi dhe Veseli nën betim kishin shpifur për të, për Glauk Konjufcën dhe Sadri Ramabajën.

Haxhiu thotë në një postim në Facebook se kryetari i opozitës dhe kreu i grupit parlamentar e kanë dorëzuar këtë kallëzim penal, e megjithatë ende prokuroria nuk po lëviz.

“Kështu, po i tregojnë botës se prokuroria nuk guxon të veprojë kundër pushtetit, e kjo ndodh vetëm në vendet diktatoriale. Si mund të afrohemi me Evropën me një prokurori që nuk vepron?”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë gjithashtu se Kurti kishte thënë se Thaçi e Veseli kanë bërë deklarata të rrejshme e shpifje kundër tij dhe Konjufcës.

Gjithashtu vlen të përmendet se Lëvizja Vetëvendosje, muajin e kaluar ka protestuar para Prokurorisë së Shtetit, duke thënë se është treguar e pafuqishme përballë kriminelëve e të korruptuarve.