Kosova

Haxhiu për dhunën në familje: Qeveria ka përfshirë për herë të parë në buxhetin e saj 900.000 euro për strehimoret

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur në RAPORT të KTV-së rreth dhunës në familje gjatë periudhës sa janë në fuqi masat e Qeverisë ndaj pandemisë së koronavirusit, derisa e ka theksuar rëndësinë e krijimit të një sektori brenda ministrisë që do të merrej me këtë çështje. Ajo ka bërë të ditur se Qeveria ka përfshirë në buxhetin e saj 900.000 euro.

“Vlen të përmendet që për herë të parë, Qeveria ka përfshirë në buxhetin e saj rreth 900.000 euro për strehimoret”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu po ashtu ka bërë të ditur se aktualisht ministria të cilën e drejton ajo, po i koordinon përpjekjet.

“Ministria e Drejtësisë koordinon përpjekjet kundër dhunës në familje. Megjithatë unë mendoj që kjo nuk duhet të bëhet në nivel politik. Duhet të ketë një sektor brenda ministrisë që e drejton këtë çështje”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Haxhiut, Kosova ka aktualisht vetëm një strehimore në nivel shtetëror, që është kundër trafikimit dhe aty janë vetëm dy persona, motër dhe vëlla.

“Nuk ka pasur raste të reja në atë strehimore”, ka thënë ajo. “Por në anën tjetër i ka edhe tetë strehimore, përfshirë për fëmijët dhe për trafikimit”, ka shtuar Haxhiu, duke e konsideruar të vlefshme punën e tyre.

Sa i përket rasteve të dhunës në familje gjatë masave rreth koronavirusit, Haxhiu ka thënë se rastet më të shumta janë nga Gjakova. “I ka dhjetë gra dhe nëntë fëmijë”, ka thënë ajo, duke shtuar se gjithsej në Kosovë janë rreth tridhjetë raste, përderisa kanë qenë vetëm dy apo tri rastet e reja.

“Sfida rreth rasteve të reja ka të bëjë me testin për COVID-19, të cilit duhet t’i nënshtrohet secili rast i ri”, ka thënë ajo. Rreth kësaj, ajo ka thënë se ka pasur komunikim me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Sa herë ka pasur raste të tilla, ata kanë qenë të gatshëm”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka folur edhe rreth përvojës së saj personale me masat e ndërmarra rreth pandemisë së koronavirusit.

“I gjithë kabineti është në detyrë dhe duke punuar. Por natyrisht brenda ministrive të cilat i drejtojmë, ne i kemi ndërmarrë të gjitha masat”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka shtuar se në Qeveri po punohet me staf të reduktuar.

“Ministria e Drejtësisë ka rreth 20 për qind e stafit që janë duke punuar. Natyrisht që është sfiduese”, ka thënë ajo.

Haxhiu megjithatë ka thënë se është e rëndësishme që të mbrohen jetët e qytetarëve.