INTERVISTA

Haxhiu: Haradinaj është në gjendje të falë territor për karrigen e kryeministrit

Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu në një intervistë dhënë për gazetën “Zëri”, ka pohuar se kryeministri i vendit Ramush Haradinaj është në gjendje që të fal territor vetëm që ta ruajë pozitën e kryeministrit.

Lidhur me funksionim e qeverisë “Haradinaj”, deputetja e VV-së ka deklaruar që ka qenë e ditur qysh nga fillimi se kjo qeveri do të prodhojë vetëm skandale.

“Që nga momenti kur është krijuar qeveria “Haradinaj” ka qenë e ditur se do të jetë një qeveri që do të prodhojë skandale. Duke parë këto sinjale, natyrisht ka qenë e ditur se do të duhej organizim opozitar dhe qytetar për t’i ndalur skandalet, sepse është e qartë që Haradinaj nuk e lëshon karrigen, sepse është i lidhur për këtë karrige dhe është në gjendje të bëjë gjithçka, madje të falë edhe territor vetëm që të mbetet kryeministër i vendit”, ka thënë ajo.
Kësisoj Haxhiu ka thënë që tubimet dhe protestat po shihen si i vetmi mjet për ta ndalur qeverinë “Haradinaj”, teksa ka konsideruar që ikja e të rinjve nga vendi është shqetësuese.
“Në këtë kuptim jam shumë e bindur që këto tubime tona, të cilat i filluam në Vushtrri, sepse është e qartë që qytetarët e Kosovës janë jashtëzakonisht të shqetësuar me situatën aktuale dhe jo rastësisht po kemi humbje të shpresës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, pikërisht këtë humbje i kanë sjellë këto veprimet e paligjshme dhe veprimet skandaloze të qeverisë “Haradinaj”. Për ne ikja e të rinjve nga vendi, ikja në heshtje që po bëhet është tejet shqetësuese dhe në situatën aktuale, ku nuk kemi asnjë kuvend funksional, e vetmja formë e organizimit na kanë mbetur këto tubime me qytetarë, për të vazhduar në secilën komunë, në fshatra, takime të vazhdueshme me qytetarë, sepse kjo është e vetmja formë për ta ndalur qeverinë “Haradinaj””, ka thënë tutje ajo.