Kosova

Haxhiu: Deri në orën 17:30 Selimi nuk ka pasur informacion për aktakuzën ndaj tij

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se vetëm pak orë më parë deputeti i kësaj lëvizjeje, Rexhep Selimi e ka kuptuar se ndaj tij ka një aktakuzë të ngritur nga Gjykata Speciale.

“Sot e kam takuar Selimin pas orë 17:30 dhe folëm bashkë për arrestimin e ish Zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi. Kemi respekt për figurën e Krasniqit në periudhën e paraluftës dhe në luftë. Selimi deri atëherë nuk ka pasë asnjë informatë për aktakuzën”, është shprehur Haxhiu, njofton Klan Kosova.

“Kur u largova nga zyrat e VV-së, ai ishte në një takim të një komiteti në VV dhe aty e kanë thirrur se duhet të paraqitet dhe që ka një aktakuzë të ngritur ndaj tij”.

“Kjo është absurd juridik. Përgjegjësinë më të madhe e kanë PDK dhe LDK që asnjëherë seriozisht nuk  i kanë trajtuar krimet e luftës. Kjo nuk do t’u falet deputetëve që e kanë ngritur dorën pro Speciales. S’po dihet kush ka qenë xhelati dhe kush viktima”.

Haxhiu në Rubikon ka thënë se ngjarjet e sotme Lëvizja Vetëvendosje i ka paralajmëruar gjashtë vjet më parë.

“Që atëherë kur kemi filluar të dëgjojmë për krijimin e këtij mosntrum juridik dhe këtë eksperiment me UCK-në dhe shtetin e Kosovës kemi qenë të brengosur. Kur është votuar ajo qëndrimi ynë dihet për të. Sot duhet të flisnin ata që ua përzdredhën duart deputetëve që ta votonin Specialen. E kujtoj presionin e Hashim Thaçit që të votohej ai amendament për Dhomat e Specializuara”.

“Ajo që ka ndodh më 2015 është goditje e madhe ndaj UÇK-së. Kemi thënë se lufta do të jetë kundër strukturave drejtuese të UÇK-së dhe kjo po ndodh sot”.