Kosova

Haxhi Shala i çel letrat, tregon me cilin ministër të NISMA-s i ka mbetur hatri

Shefi i Grupit Parlamentar të NISMA-s, Haxhi Shala, ka qenë një prej emrave më të diskutuar ditëve të fundit pas deklarimit të tij se nuk do të votojë për qeverinë e Avdullah Hotit, pavarësisht se partia e tij kishte lidhur koalicion.

Deputeti i NISMA’s ka thënë se problemi i tij nuk ka qenë me qeverinë e Avdullah Hotit por me zhvillimet brenda partisë së tij.

Shala në FRONTAL të T7 ka thënë se i ka mbetur hatri me emërimin e Skënder Reqicës për herë të dytë ministër, duke thënë se i njëjti nuk i ka sjellë vota partisë, raporton Gazeta Express.

“Unë i kam vërejtjet e mia për ministrat. Për njërin s’kam vërejtje dhe ai është Vesel Krasniqi, Skënder Reqica është djal i mirë, partia ia ka dhënë mundësinë një herë. Dhe kur ta jep partia mundësinë një herë, duhet fituar vota pastaj. Ne e kemi bërë ministër jashtë Malishevës, për t’i sjellë vota partisë. Ai është ministër për hatër të bacit Jakup”, ka thënë Shala në FROTNAL.

Tutje ai ka thënë se po ta kishte ditur se vota e tij është vendimtare për votimin e Qeverisë Hoti, nuk do të kishte kërkuar këshilla as nga presidenti e as nga Ramush Haradinaj.

“Edhe unë se kam ditë që vota ime do të ishte vendimtare. Po ta dija nuk do të ishte e nevojshme që të konsultohesha as me presidentin e as me z.Haradinaj. Po ta dija që vota ime do të ishte vendimtare, do ta votoja qeverinë Hoti”, ka shtuar Haxhi Shala.

“I falënderoj edhe presidentin dhe ish-kryeministrin Haradinaj për sqarimet. Unë kam pas dyshimet e mia apo pakënaqësitë e mia me partinë time. Jo të marrin vendime për ministra dy apo tre persona.Kam kërkuar që të emëruarit politik të vendosen në diskutim në organet e partisë. Përderisa emrat i kemi mësuar pas seancës, po shihet që ka vendosur kryetari dhe për këtë arsye kam thënë që s’do të votojë”, ka thënë ndër të tjera Shala./Express/