Kosova

Hashani: Investimet infrastrukturore pa studime për përfitimet

Me një transparencë minimale dhe me mungesë të një debati të mirëfilltë, Kosova është bërë me dy autostrada dhe me dy të tjera në ardhje. Me më pak se 11 mijë kilometra katrorë sipërfaqe, shteti ndër më të vegjlit në Evropë, së shpejti do të ndodhet ndërmjet katër autostradave, shkruan sot “Koha Ditore”.

Derisa rruga për në Durrës, që tashmë bart epitetin e Rrugës së Kombit, prej disa vjetësh është në përdorim, ajo që çon për në Han të Elezit sapo është përfunduar. Autostrada për në Gjilan dhe ajo e Dukagjinit pritet të nisin, për ta kompletuar infrastrukturën e autostradave.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Alban Hashani, drejtor ekzekutiv në institutin “Riinvest”, ka thënë se politika kosovare i ka orientuar shpenzimet kapitale kryesisht në projekte infrastrukturore, duke shpërfillur sektorët e tjerë. Sipas Hashanit, është krijuar përshtypja se Qeveria çështjen e autostradave e ka diskutuar në qarqe të ngushta, duke dështuar t`i bindë qytetarët se përfitimet e tejkalojnë koston e këtyre investimeve.

Autostradat aktuale, përveç me Shqipërinë, nuk lidhen në korridoret ndërkombëtare, pasi që shtetet fqinje, drejt të cilave shpijnë këto rrugë, nuk e kanë kryer pjesën e tyre.