Kombëtare

Hashani: Ata që hasen duke prerë apo bartur drunj pa leje përkatëse do të përballen me ligjin

Në kuadër të punëve dhe angazhimeve të përditshme, Policia e Kosovës nga Rajoni i Gjilanit, punon vazhdimisht edhe për mbrojtjen dhe parandalimin e shkatërrimit të pyjeve nga prerjet dhe transportimet ilegale të drunjve.

Kështu tha togeri Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës nga ky Rajon për lexuesit e AL “GJILANI.INFO” duke theksuar se si masa parandaluese janë patrullimet e shpeshta në zona të caktuara në të cilat pritet të ketë bartje ilegale apo edhe prerje të pyjeve kundërligjshëm.

“Në gjithë rajonin e Gjilanit që mbulon gjithsejte shtatë komuna me një teren potencialisht pyjor, Policia e Kosovës së bashku me Agjencinë e Pyjeve, bënë përpjekje maksimale që të preventoj për aq sa është e mundur duke penguar shkatërrimet e pyjeve nga personat e pa ndërgjegjshëm”, tha zëdhënësi Hashani.

Ai tha se Policia e Kosovës harton plane operative dhe vepruese, e po ashtu shpesh herë vendos edhe pika kontrolli në vende të caktuara, sa herë që Autoriteti Pyjor kërkon ndihmë nga policia në rastet kur takohen me persona të pandërgjegjshëm duke prerë apo transportuar drunj në mënyrë ilegale.

“Deri më tani Policia e Kosovës vetëm në zonën e përgjegjësisë së Stacionit të Gjilanit ka asistuar dhe ka arritur të procedojë tetë (8) raste, “Vjedhje e pyllit”. Kurse në periudhën kohore Janar -Tetor 2019, janë regjistruar nëntë (9) raste të natyrës së njëjtë dhe me asistim të inspektorëve nga Autoriteti Pyjor, rastet me kallëzime penale janë proceduar në Gjykatë”, konfirmon Hashani.

Kurse për ata që presin e transportojnë drunj përmes rrugës ilegale, tha se do të përballen me konfiskimin e drunjve dhe mjeteve transportuese, si dhe do të dërgohen në Gjykatë me kallëzime përkatëse penale.

“Policia e Kosovës së bashku me faktorët tjerë të sigurisë do të jetë e përkushtuar që të preventojë dhe pengoj për aq sa është e mundur shkatërrimin dhe degradimin e pyjeve. Dhe se të gjithë ata që hasen duke prerë apo bartur drunj pa leje valide përkatëse, do të përballen me ligjin”, tha zëdhënësi Hashani. /GJILANI.INFO/

Leave a Reply

Your email address will not be published.