Show Biz

Harry e Meghan heqin dorë nga rolet në familjen mbretërore

Duka dhe Dukesha e Sussexit kanë njoftuar se do të tërhiqen nga rolet “e larta” mbretërore dhe do të punojnë për t’u bërë financiarisht të pavarur.

Në një njoftim, Princi Harry dhe Meghan po ashtu kanë thënë se planifikojnë të ndajnë kohën e tyre mes Britanisë së Madhe dhe Amerikës Veriore.

BBC raporton se asnjë anëtar i familjes mbretërore britanike – përfshirë Mbretëreshën ose Princin William – nuk ishte konsultuar para njoftimit dhe se Pallati Mbretëror “është zhgënjyer”.

Zyrtarët e lartë mësohet se janë “lënduar” nga ky njoftim.

Në tetorin e shkuar, Princi Harry dhe Meghan publikisht kishin treguar problemet që kishin për jetën që përcillej vazhdimisht nga mediat.

Në njoftimin e papritur të mërkurën, çifti ka thënë se vendimi ka ardhur “pas disa muajsh reflektimi dhe diskutimesh të brendshme”.

“Ne synojmë të largohemi si ‘zyrtarë të lartë’ të Familjes Mbretërore dhe të punojmë të bëhemi financiarisht të pavarur, përderisa të vazhdojmë të përkrahim plotësisht Mbretëreshën”, thuhet ndër tjerash në njoftim.