SPORT

Harmon, liberiani i Drenicës

Sulmuesi nga Liberia, Van-Dave Harmon, synon që këtë edicion të jetë ndër futbollistët më të mirë në Superligën e Kosovës në futboll. 24-vjeçari, qysh në edicionin debutues në futbollin e Kosovës, po dëshmon se bëhet fjalë për sulmues cilësor, shkruan sot Koha Ditore.

Aktualisht është shënuesi më i mirë te Drenica dhe në mesin e më të mirëve në elitën e futbollit kosovar. Ka realizuar gjashtë gola deri më tash dhe te Drenica është ndër lojtarët kyç. Ekipi, falë edhe golave të tij, pas 16 xhirove zë vendin e gjashtë me 24 pikë. Harmon është i kënaqur me përvojën në Kosovë dhe premton paraqitje edhe më të mira me kalimin e kohës. Para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Drenicës dhe thotë se tek ekipi nga Skenderaj po ndihet shumë mirë.

Harmon kishte edhe shumë oferta të tjera, por zgjodhi Kosovën për shkak të ofertës më të mirë financiare.

“Në Kosovë kam ardhur nëpërmjet agjentit tim. Më parë kisha dëgjuar për futbollin në këtë shtet, falë lojtarëve të tjerë nga Liberia që patën fjalë të mira. Kështu që, në momentin që pata mundësinë nuk hezitova për të ardhur në Kosovë”, është shprehur Harmon në një bisedë për gazetën. “Mund të them se kam bërë një zgjidhje shumë të mirë në karrierën time, pasi liga është e mirë dhe po ndihem i lumtur. Jo vetëm te Drenica, por në përgjithësi në Kosovë më kanë mirëpritur, pasi njerëzit janë shumë të mirë dhe të shoqërueshëm”.

Harmon thotë se te Drenica po ndihet si në shtëpi, pasi është përshtatur mirë në futbollin kosovar. Pas përshtatjes, ai insiston se synimi është që të jetë më i miri ose në mesin e më të mirëve.

“Këtu e kam gjetur veten në futboll dhe në secilin vend që e gjej veten, ai vend bëhet shtëpia ime. Synimet e mia janë të gjithmonë të jem më i miri ose në mesin e më të mirëve dhe për të arritur këtë po punoj shumë dhe po jap gjithçka nga vetja për rezultatet e mira të Drenicës. Por, këtë nuk e arrij vetë, pasi duhet ta kem edhe ndihmën e bashkëlojtarëve”, ka shtuar Harmon.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.