Kosova

Haradinaj: Zgjedhjet e reja nuk janë drejtim i duhur

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka folur edhe për koalicionin e mundshëm të Vetëvendosjes me LDK-në, dhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje, nëse koalicioni nuk arrihet.

Ai në një konferencë për media ka thënë se një qasje e tillë imponuese që dëgjohet tek të dyja partitë, është e çuditshme.

Haradinaj tutje shton se nuk duhet të abuzohet me situatën.

“Mendoj se nuk duhet me abuzu me situatën në vend. Një qasje e tillë imponuese ose kërcënuese që i dëgjojmë tek partnerët e koalicionit më duket e çuditshme. Kushdo që është mandatar zyrtar duhet të bëjë kujdes sepse i faturohet pazotësia për me i kriju institucionet. Nuk mendoj se është drejtimi i duhur. Nuk është rregull me bo eksperiment’, ka thënë ai.

Haradinaj ka folur edhe për takimin e Xhelal Sveçles me drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq.

“Mendoj risi është kjo situata me VV sepse ata një kohë e kanë pas një qëndrim kundër”, ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka folur edhe për gjasat që Kushtetuesja të caktojë masë të përkohshme për Ligjin për pagat.

Ai ka thënë se dyshon se skenarë të tilla po bëhen qëllimisht.

“Është tepër zor për mu por e kom një farë dyshimi qe po bëhen me qëllim këto skenare. E kom një dilemë që është e qëllimshme kjo zhagitje, ju e dini sa kanë pritur njerëzit për këtë ligj. Nuk e kuptoj pse nuk bën ky ligj me fillu. Nëse është dëmtuar një palë e caktuar, atëherë mundet me u amandatu, është tepër e pakuptueshme dhe panevojshme”, ka thënë ai.