Kosova

Haradinaj: Vuçiq nuk mund ta mohojë se djemtë e UÇK-së e kanë përzënë nga Kosova

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Mujë Krasniqi – Kapuqi dhe 40 bashkëluftëtarët e tij.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se sot është nder bashkimi dhe nderimi i një ngjarjeje që është vërtetë e dhimbshme për shqiptarët, ndoshta prej më të dhimbshmëve në kohë lufte dhe se duke kujtuar rënien e 41 luftëtarëve të UÇK-së, tha se megjithatë lufta e tyre triumfoi, ndonëse i humbën bashkëluftëtarët e tyre për një kohë të shkurtë.

“ Megjithatë 20 vjet më vonë, të zgjedhurit e popullit të Kosovës votuan ligjet për ushtrinë e vetë. Ndoshta kjo është dëshmia se e drejta jonë ka për të fituar gjithmonë. Ka për të kaluar nëpër të dhimbshmen, siç ka ra 21 vjet më parë por ka për të rënë edhe nëpër krenarinë, siç ka rënë në qershorin e vitit ’99 kur i kemi parë forcat e armikut duke u larguar nga Kosova dhe siç na ka ndodhur një vit më parë, votimi për ushtrinë tonë”, shtoi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë Haradinaj kujtoi edhe vizitën që ua bëri kadetëve të FSK-së ditë më parë siç tha ai për t’i kujtuar kohët. “Në kohën e Mujës dhe të Aliut një pushkë ka kryer punë në Dukagjinë, Drenicë e Llap, sepse nuk kemi pasur shumë. Kur na është dashur të kryejmë punë fillimisht e ka pasur Luani apo Shkëlzeni e kur i është dashur pastaj Mujës dhe e njëjta ka përfunduar tek Zahiri. Baci Adem dhe bashkëluftëtarët e tjerë i kanë mbledhur ndonjëherë por me ato pak armë është kryer gjithë ai nam i madh”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj.

Sot, siç veçoi kreu në detyrë i Qeverisë, Kosova është në këmbët e veta, ka ushtrinë e saj, popullin, policinë e institucionet por duhet që t’i bëjë më të mira dhe t’i forcojë ato.

Në fjalën e tij ndër tjerash kryeministri në detyrë Haradinaj foli edhe për mohimin e masakrës së Recakut nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuqiç, dhe bashkëpunëtorët e tij duke thënë se një gjë të cilën ata nuk mund ta mohojnë është se djemtë e UÇK-së i kanë përzënë nga Kosova dhe se ata jo vetëm që nuk do të kthehen më kurrë këtu, por ne do të fitojmë gjithmonë në të drejtën tonë.

“Kush mundohet ta thyej shqiptarin, le ta lexojë historinë dhe veç kujtojeni shembullin e Mujë Krasniqi që në çdo luftë e ushtri atë njeri e kanë larguar nga fronti i luftës sepse fizikisht ka qenë i paaftë për luftë për shkak të plagosjes rëndë, por ai vetë ka marrë vendim që jo vetëm të ngarkohet me armë por edhe të merr pjesë në frontin e luftës. Për këtë arsye kur ata do të mendojnë se na kanë lexuar, atëherë ata do të jenë vonë”, theksoi kryeministri në detyrë Haradinaj, duke u shprehur i bindur se kemi për të ecur hapa përpara armiqve tanë sepse siç shtoi ai, saherë që ata do të mendojnë se e dinë ku jemi, ne do të jemi shumë para tyre.

Një fjalë rasti mbajtën edhe motra e heroit Mujë Krasniqi, Servete Krasniqi, ndërkaq në emër të familjeve të dëshmorëve foli Xhavit Jashari, ushtari i Brigadës 113, Hysni Shabani dhe Emin Kabashi.​ /Kosova.info/