Kosova

Haradinaj: Sot e përgjithmonë do t’i kujtojmë ata që u flijuan për këtë tokë

“Një popull që harron njerëzit e vet të martirizuar, është i dënuar t’i përsëritet historia, prandaj sot e përgjithmonë, do t’i kujtojmë ata që u flijuan për këtë tokë. Liria e Kosovës mbanë emrin e secilit prej tyre”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Akademinë Përkujtimore në Ditën e të Zhdukurve të Komunës së Klinës.

Fillimisht kryeministri Haradinaj, është pritur nga kryetari i Komunës, Zenun Elezaj dhe ka bërë homazhe te lapidari i martirëve, ku janë të shënuar emrat e të pagjeturve të kësaj komune. 

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se Klina në luftë ka humbur shumë njerëz dhe secili prej tyre është një plagë e hapur në zemrat e familjarëve dhe dëshmi që përshkruan rrugën e vështirë që kaluam deri në liri.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se institucionet e Kosovës nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi, që udhëheqësit dhe ekzekutorët të sillen para drejtësisë, që të ndriçohet fati i të pagjeturve të luftës dhe që shteti të kujdeset në mënyrë institucionale për familjet e martirëve dhe të pagjeturve duke rregulluar statusin e tyre me ligj.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, tha se shënimi i ditës së të pagjeturve për Komunën e Klinës, është plagë e cila vazhdon të rëndoj në shpirtrat dhe mendjet e tyre si një prej dhembjeve më të thella që la lufta dhe gjenocidi serb në këtë komunë në periudhën e luftës së fundit.

Një fjalë para të pranishmëve në emër të familjarëve të dëshmorëve, e mbajti Nexhmije Gashi.

Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj:

Me i kujtu martirët e një prej masakrave më makabre, si ajo e Kralanit, do të thotë me shprehë respekt për sakrificën sublime të njerëzve tanë, që ishin në shërbim të vendit dhe me u bashku në dhembjen e familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre.

Dita e përkujtimit të martirëve dhe të pagjeturve të luftës, në Klinë, 4 Prilli, e  shndërruar në kujtesë institucionale na shërben të gjithë neve për me e kthye tragjedinë në forcë, për me e vazhdua jetën, e me ecë përpara.

Në masakrën e Kralanit janë ekzekutuar 86 civilë shqiptarë të Komunës së Klinës. Por shumë qytetarë të kësaj komune janë masakruar anë e kënd Kosovës, si në Izbicë 23, në Pastasel 16, Poterq i Epërm 15 qytetarë, e shumë prej tyre ende janë të pagjetur.

Klina në luftë ka humbur shumë njerëz dhe secili prej tyre është një plagë e hapur në zemrat e familjarëve dhe dëshmi që përshkruan rrugën e vështirë që kaluam deri në liri.

Një popull që harron njerëzit e vet të martirizuar, është i dënuar t’i përsëritet historia, prandaj sot e përgjithmonë, do t’i kujtojmë ata që u flijuan për këtë tokë. Liria e Kosovës mbanë emrin e secilit prej tyre.

Pas dhjetëra masakrave të shtetit serb në tërë Kosovën, bashkësia ndërkombëtare e kuptoi se agresioni ndaj civilëve, shkelja masive e të drejtave të njeriut dhe mohimi i të drejtës për jetë, pavarësisht se ku ndodh, nuk mund të pranohen dhe nuk do të qëndrojnë  indiferent.

Pa e njohur dhembjen e njerëzve të Kralanit, Klinës, por edhe të të gjitha vendeve tjera ku u kryen masakra, është vështirë të njihet e vërteta e Kosovës.

Dhe për këtë të vërtetë, si Kosovë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi, që udhëheqësit dhe ekzekutorët të sillen para drejtësisë, që të ndriçohet fati i të pagjeturve të luftës dhe që shteti të kujdeset në mënyrë institucionale për familjet e martirëve dhe të pagjeturve duke rregulluar statusin e tyre me ligj.

Ju siguroj se si Qeveri jemi intensivisht në punë dhe së shpejti do të kemi avancim të statusit ligjor të kategorisë së familjeve të pagjeturve, të martirëve.

Tepër gjatë u kemi hyrë në hak këtyre njerëzve që kanë ende shumë vuajtje, prandaj është koha që të gjithë martirët e Kosovës të trajtohen si kategori e lirisë së vendit.

Nuk do ta fshehim asnjëherë të vërtetën, dobësitë, mangësitë tona. Si Qeveri nuk jemi për t’u ankuar, e as për të vajtuar, por jemi këtu që t’i kryejmë punët që na i ka besuar qytetari ynë dhe t’i vendosim të drejtat që janë me rëndësi për vendin tonë.

Familjarë të martirëve, të mbaheni të fortë.

Lavdi të rënëve për liri!. /Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.