Kosova

Haradinaj: S’ka arsye për bastisje në Kosovë, secili do t’i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se organet e drejtësisë, qoftë vendore por edhe ato ndërkombëtare, nuk kanë arsye të kryejnë operacione e bastisje lidhur me Gjykatën Speciale, sepse, sipas tij, të gjithë do t’i përgjigjen vullnetarisht drejtësisë.

Duke folur pak pas arrestimit nga zyrtarë të EULEX-it të kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati në zyrat e kësaj organizate, Haradinaj ka thënë se Kosova është gjithmonë me ligjin.

Haradinaj ka kritikuar publikimin e dosjeve të Gjykatës Speciale, që në tri raste dyshohet të jenë dorëzuar nga të panjohur brenda zyrave të OVL-së së UÇK-së.

Sot policë të EULEX-it arrestuan Gucatin dhe me vendim të Gjykatës Speciale ai pritet të dërgohet në Hagë. Në zyrat e OVL-së, EULEX-i po vazhdon me bastisjet.

“E ritheksoj qëndrimin tim, se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do e dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit. Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë. Apeloj te organet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që të respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t’i ik drejtësisë. Konsideroj se nuk ka arsye për operacione e bastisje, sepse secili do t’i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë. Kosova është gjithmonë me ligjin dhe me viktimat, sepse vet ishte viktimë e padrejtësive. Vet UÇK-ja dhe populli i Kosovës kanë argumentuar se gjithmonë janë pozicionuar në anën e drejtësisë, të vërtetës, dhe të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndryshuar asnjëherë!” ka shkruar ai në Facebook.

Të enjten u bë publike aktakuza e parë e Gjykatës Speciale. Ajo arrestoi në Kosovë Salih Mustafën, ish-epror në Zonën Operative të Llapit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.