Kosova

Haradinaj: Sa më shpejt të formohet Qeveria Hoti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentin Hashim Thaçi, që sa më shpejt të formohet Qeveria Hoti, ku AAK-ja është në partneritet me LDK-në e Nismën.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se “çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve”.

“Përshëndes aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re. Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë. Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, ka shkruar ai.