Kosova

Haradinaj: Qeveria e ka interes jetik që të përkrahë policinë e Kosovës

“Kosova e ka interes jetik që të përkrahë policinë, të fuqizojë kapacitete operative të policisë dhe mbështesë atë në bazë ligjore, në tema që ia garantojnë operimin e suksesshëm”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij pas një vizite pune që zhvilloi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

I shoqëruar edhe nga ministri i Financave, Bedri Hamza si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, kryeministri Haradinaj tha se është e vërtetë që Kosova ka disa të arritura në fushën e sigurisë, por që sot bashkërisht kanë diskutuar edhe për ta parë mundësinë se si të vazhdohet më tutje që institucionet e sigurisë ta kenë një situatë vepruese me bazë ligjore që i siguron në çdo etapë dhe çdo formë të operimit të tyre.

“Kosova është vend specifik, e dal nga lufta, ka shpallur pavarësinë e vetë, pra është shoqëri e re, institucionet e vendit janë shumë të reja. Njëkohësisht është një kohë e tranzicionit kur përgjegjësitë nga mekanizmat ndërkombëtarë janë bart dhe po barten tek mekanizmat vendorë. Tash përgjegjësitë e plota i ka Policia e Kosovës në të gjithë vendin dhe janë përgjegjësi vërtetë të ndjeshme”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, falënderoi kryeministrin Haradinaj dhe dy ministrat për vizitën në këtë institucion, duke thënë se janë shumë të kënaqur për përkrahjen që Qeveria e vendit po ia jep policisë.

“Kjo përkrahje na obligon që ne më shumë të ofrojmë siguri për vendin, për qytetarët tanë. U zotuam se do të bëjmë maksimumin që të shtojmë aktivitetin tonë policor që qytetarë të ndihen sa më të sigurt”, tha Qalaj. /Kosova.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published.