Kosova

Haradinaj: Nëse Vuçiq nuk dëshiron ta sheh Shqipërinë e Madhe, atëherë le ta njeh Kosovën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar deklaratat e tij të lëshuara të marten pasdite, ku tha se nëse Serbia nuk e njeh Kosovën deri më 2025-ën, do të ketë referendum të bashkimit me Shqipërinë.

Haradinaj ka thënë se një ide e tillë vetëm se e ndihmon BE’së, për të cilën tha se ajo i ka “duart e zëna” duke u marrë me çështje të tjera, duke lënë anash Ballkanin Perëndimor, shkruan Gazeta Express.

Ai këto komente i ka bërë në emisionin ‘Prime Time’ në Kanal 10.

“Kosova do duhej ta kishte në agjendë të vetën, në rast se drejtimi deri në OKB, si dhe njohja nga Serbia të mos ndodh, në atë kohë që Kosova t’i jep epilog për gjendjen e vet nëpërmjet një referendum të bashkimit me Shqipërinë. Kjo do ndodh. Kërkesa ime është e sinqertë”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera, ai ka komentuar edhe reagimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilit ia ka kërkuar medoemos njohjen diplomatike të Kosovës.

“Nëse Vuçiq nuk dëshiron ta sheh Shqipërinë e Madhe, atëherë le ta njeh Kosovën”, ka thënë bartësi i listës së AAK’së në kandidatët për deputet, teksa ka thënë edhe se Mini-Shengeni i konvenon Serbisë.

Haradinaj të martën e prezantoi për herë të parë idenë e bashkimit me Shqipërinë që prej se Vetëvendosja e artikulonte një kërkesë së tillë gjatë kohës sa ishte në opozitë.

“Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”, ka deklaruar ish-kryeministri i Kosovës përmes ‘Facebook’-ut. /Gazeta Express/